Kukësi-Partizani është kryesfida e javës së 5-të të Superiores. Te verilindorët do të bëjë debutimin trajneri i ri, pas dorëheqjes së Skënder Gegës, si rezultat i një fillimi të dobët të sezonit. Në konferencën e sotme për shtyp, trajneri i “demave të kuq”, Giovanni Colella nuk është fshehur, teksa ka deklaruar se synon fitoren në këtë transfertë, edhe pse vështirësia është evidente:

“Nuk njoh një kampionat që mund t’i fitosh të gjitha ndeshjet. Vetëm në kampionatin e moshave fiton gjithmonë më i forti. Çdo skuadër duhet ta tregojë javë pas jave veten. Secili duhet të ketë strategjinë e tij.

Kukësi? Kur një skuadër ndryshon trajnerin të krijon probleme. Kur vijnë trajnerë të rinj, sjellin entuziazëm. Përfitoj nag rasti të uroj trajnerin e ri të Kukësit, Enkeleid Dobi, për punë të mbarë. Natyrisht, ne do të kërkojmë që të bëjmë lojën tonë, sepse ky është mentaliteti i Partizanit. Kemi shumë respekt për Kukësin, por ne do të duhet të kemi identitetin tonë si skuadër për të kërkuar gjithmonë rezultate pozitive.

Paraqitja që Partizani bëri ndaj Erzenit ishte pozitive në çdo aspekt. Bëmë një gabim te momenti ku pësuam golin, nuk ishte një gabim i rëndë, po na kushtoi. Në gjithë këto kohë kemi fituar ndeshje duke bërë shumë gabime. Më duket e habitshme të humbas ndeshje ku mund të kem bërë vetëm dy gabime. Sidoqoftë, kjo është bukuria e futbollit.

Nëse Partizani do të luajë si ndaj Erzenit, do të humbasë shumë pak ndeshje. Nuk është çështje taktike, por paraqitjeje. Ne punojmë për të fituar çdo ndeshje, edhe pse nuk mund t’ia dalim. Ajo që mund të ndihmojë që të arrijmë përpara të tjerëve është ecuria e gjatë e vazhdimësisë.

Nëse bën paraqitje një herë mirë dhe një herë jo, në fund rezultatet nuk do të jenë të shkëlqyera. Ka edhe ndeshje që nuk kemi bërë paraqitje të mira si ndaj Egnatias, por arritëm ta fitojmë atë sfidë. Futbolli është i tillë, sepse nuk ka gjithmonë të njëjtën logjikë. Vazhdimësia për mua prodhon rezultate pozitive.

Situata në skuadër? Skuka i ka kryer të gjitha seancat stërvitore. Futbollisti që kemi me probleme është Da Silva, që nuk është stërvitur rregullisht, madje ka pasur edhe probleme të dielën e kaluar. Preka është rikthyer të stërvitet rregullisht me ekipin, ndërsa Hoti vijon programin e tij individual të përcaktuar nga stafi teknik.

Rezultati? Unë nuk firmos për barazim, por nëse do të marrim një pikë në Kukës, do ta jap përgjigjen nesër pas ndeshjes. Ne do të shkojmë të bëjmë ndeshjen tonë në Kukës. Pikët janë çështje e meritës nëse ti ke arritur të bësh mirë në atë sfidë.

Pres shumë nga të gjithë lojtarët, sepse të shënosh gola nuk është punë vetëm e sulmuesve. Pres shumë edhe nga mesfushorët, sepse janë shumë të aftë për të realizuar. Edhe të mbrosh nuk është punë vetëm e mbrojtjes. Siç e mendoj unë, të mbrosh është punë edhe e sulmuesve përpara”.