Astrit Hafizi mendon se miqësoret e përfaqësues shqiptare ndaj Arabisë Saudite dhe Katarit nuk i kanë shërbyer për asgjë trajnerit reja dhe kombëtares kuqezi. Ish-trajneri i kuqezinjve, në një analizë për “Sport News” në “News 24”, ka folur rreth këtyre ndeshjeve dhe mendon se kampionati shqiptar ka pak gjëra për t’i ofruar Shqipërisë.

“Çfarë përshtypjesh më lanë miqësoret? Jo të mira, nga ana profesionale apo teknike nuk besoj se një trajneri të ekipit kombëtar i shërbejnë të tilla ndeshje. Ndeshje të tilla miqësore iu shërbejnë kur kanë një qëllim apo program, në prag të një aktiviteti që mund të fillojë. Nëse flasim për këto ndeshje, mendoj se janë ndeshje ku ne nuk përfitojmë asgjë dhe besoj që janë zhvilluar të tilla që pak a shumë nuk janë në bazë të programeve apo në data të lira.

Përsëri mendoj se nuk kanë përfituar asgjë. Nëse i referohemi këtyre dy ndeshjeve, që zhvillohen me lojtarë të kampionatit tonë, unë mendoj se kampionati ynë është i ekspozuar, e paraqitur edhe në aktivitete ndërkombëtare, edhe në renditjen e UEFA-s, ne kemi vetëm rënie. Ndaj kampionati jonë nuk hyn në ato kampionate ku ne të kemi synim sidomos nga ekipi kombëtar që të shohë nga kampionati jonë. Vetë eliminimi nga Kupat e Europës që në turet e para e tregon një gjë të tillë, ndaj besoj se askujt nuk i ka shërbyer kjo, as trajnerit të ekipit kombëtar. Besoj që një trajneri të ekipit kombëtar, nuk është një program i tij besoj, duhet të jetë një program tjetër që i shkon mbrapa. Por në fakt, duhet që Federata t’i shkojë mbrapa programit që përgatit trajneri, kështu e mendoj unë.

E kemi parë edhe në ndeshje të tilla, edhe në kampionatin që ka filluar, niveli i ndeshjeve është për të dëshiruar. Kemi ekipe që nuk kanë shënuar 1 gol për ndeshje, plus që kanë pësuar edhe nga 12 gola që i kanë shënuar nga një për ndeshje. Me përjashtim të një lojtari i cili lë shenjë, Xhixha i Tiranës, i cili mund t’i shërbej ekipit kombëtar, nuk besoj se Reja do të shohë nga kampionati shqiptar për të zëvendësuar lojtarë si Broja apo Uzuni, apo lojtarë të tjerë të mesit të fushës me lojtarët që kemi ne.

Nuk është faji i skuadrave dhe trajnerëve, këto janë lojtarët, kushtet në të cilat stërviten. Kështu fillon kampionati jonë dhe bën atë surprizën ndoshta Erzeni i Shijakut i cili mposht të gjithë skuadrat e elitës. Si ka mundësi? Që përgatitet para fillimit të kampionatit, 2-3 javë para se të fillojë kampionati. Kur ekipet e tjera kanë bërë stërvitje maksimale duke dalë edhe jashtë shtetit, duke marrë pjesë edhe në Kupat e Europës.

Me të gjitha ato triumfon, pra të gjithë ato programet e materialet që kush i shfrytëzon sipas ideve që duhet dhe sipas ligjeve që ka futbolli, duhet t’i hedhë në kosh të plehrave. Kur një ekip për 2-3 javë formohet shpejt e shpejt, mosparaqitja do kishte dënimin se nuk ka fushë etj, etj, dhe është gati në vendet e para. Si shpjegohet kjo?”, theksoi ndër të tjera Hafizi i cili më pas dha mendimin e tij për eksperiencën e Edi Rejas në vendin tonë.

“A duhej të ishte Reja në stol në këto miqësore? Unë mendoj që është lënë vetëm për të përfunduar kontratën. Si duket edhe llogaritë e federatës janë bërë të tilla që brenda muajit nëntor kur i mbaron kontrata, të mos paguajnë dy trajnerë për një vend, besoj se i kanë bërë llogaritë që të mos kemi shpenzime. Por normalisht me mbarimin e ndeshjeve siç ishte e fundit me Islandën, aty duhej të kishte filluar nëse do të kishte plan, një trajner i ri, për këto ndeshjet miqësore e për eliminatoret e Euro 2024. Por mendoj se këtu ka një handikap që këtu nuk shkon. Nganjëherë ne i heqim edhe në gjysmë të kampionatit, i kemi treguar edhe gjëra të tilla.

A e mendoja se do të rrinte Reja kaq shumë gjatë në stol? Po ti referohemi intervistës së presidentit të federatës para disa kohësh kur u pyet për këtë problem, edhe tregoi arritjet e trajnerit të ekipit kombëtar. Me kujtohet deklarata që ai përmendte që është “një trajner që kemi dalë të parët në grupin e Nations League”. Ju lutem shumë, edhe ata që merren me gazetarin sportive dhe me shkrime të tilla. Po me cilin kemi dalë në vend të parë? Me Letoninë? Me Estoninë? Me Bjellorusinë? Dhe krenohemi që kemi dalë në vend të parë me ato skuadra që janë shumë poshtë nesh?

Çfarë arriti sot, vendin e tretë në grup, se ai paraqiti sukseset e tija. Apo ndonjë shkrim tjetër ku paraqiten statistika ku krahasohet me trajnerë ekipeve kombëtare para 50, 40 apo 30 vjetëve e që Reja është në vend të parë. Kjo është domethënë e paimagjinueshme që të bëhen krahasime të tilla ku kemi qenë me ato kushtet e problemet tona, që të krahasohemi me sot në të gjitha kushtet maksimale, infrastrukture, e grumbullimit të lojtarëve që i kemi të gjithë jashtë, që luajnë në ekipet më të mira që kanë sot kampionatet italian apo anglez.

E ne bëjmë krahasime të itlla për ti dhënë vlera një trajneri që me gjithë respektin që kam apo me vlerësimet e mia që kam pasur kur ai drejtonte ekipin në Itali, edhe ta quajmë një trajner të suksesshëm. .Imagjinoni tani çfarë të themi për ndonjë trajner tjetër që e organizon dhe përgatit mirë ekipin, një trajner me koncept dhe ide loje që kemi kohë që e vuajmë që pas periudhës se De Biazit, i cili u mor me Europianin paçka se çfarë na la mbrapa dhe çfarë përfitojmë sot, që po i vuajmë sot. Edhe atëherë nuk kemi pasur lojëra të bukura për mendimin tim. Kanë qenë disa rezultate që dihet tashmë që i morëm si i morëm. Ashtu erdhi situata e i shfrytëzuam. Por mendoj se kemi pasur difekte në stilin e lojës. Ne vazhdojmë e nuk gjejmë një sistem loje, formulë loje, apo tip loje që të na përshtatet ne edhe në mënyrë loje.

Trajneri i ardhshëm? Me çfarë dëgjoj, edhe në komente në shtyp, nuk do t’i largohemi trajnerëve italian po jo shumë të nivelit të lartë. Se ata kanë trajnerë të nivelit të mirë. Por ata më të mirët kuptohet nuk vijnë te ne. Shpresojmë të vijë një trajner që ti përshtatet futbollit tonë”, tha Hafizi.