Shpresat barazuan me Andorrën, ndërkohë që Kombëtarja e madhe e nisi edicionin me humbje. Në vitin e fundit kalendarik, bilanci i kuqezinjve është… katastrofë. Tanimë që është vëmendja e drejtuar te përzgjedhja e trajnerit të Kombëtares A, nuk duhet harruar as çfarë ndodh me ekipet e moshave, të cilat janë baza për të dhe e ardhmja e futbollit shqiptar.

Astrit Hafizi në një intervistë për “Panorama Sport” analizon kandidatët për post-Panuçin, strategjinë për ekipet kombëtare dhe e konsideron të pabesueshme që Shqipëria të barazojë me Andorrën U-21. Sipas tij, analiza nis me gradimin në krye të ekipeve kombëtare të një trajneri pa CV të pasur dhe që dështoi me U-17.

Më tej, teksa vlerëson katapultimin e ish-kuqezinjve në ekipet e moshave, prek me shumë kujdes dhe diplomaci çështjen e zgjedhjeve të futbollistëve në ekipet zinxhirë, U-17, U-19 dhe U-21.

Profesor, po synohet kryesisht një trajner i huaj për Kombëtaren. Çfarë profili gjykoni se na duhet?

Duhet të themi zgjedhjet e Dukës, sepse nuk janë zgjedhje të tjera, nuk më kanë bindur shumë. Kam qenë shumë skeptik. Edhe në momentin kur zgjodhi Panuçin, ai ishte shumë entuziast. Mirëpo, doli aty ku doli… Sa i përket pyetjes suaj, në radhë të parë, trajneri duhet të ketë një CV. Nuk mund të merret një dosido në institucionin e trajnerit.

Sipas mendimit tim, nuk duhet të jetë si tender për të marrë ofertën më të madhe apo ofertën më të ulët. Zakonisht, kështu janë marrë trajnerë që nuk kanë pasur ndonjë CV shumë të madhe. Edhe këtë herë nëse do të vijojë me të tilla zgjedhje dhe nëse nuk do të marrë një trajner me CV, do të gabojë sërish. Duka duket se është sërish i prirë për të marrë trajner të huaj, ndaj… le ta marrë.

Çfarë ndodh në rastet kur dështon një trajner i Kombëtares?

Kjo është edhe habia që kam unë. Kur merret një trajner i tillë siç ishte Panuçi apo edhe kur dështon, pyetja ime është se kush e mban përgjegjësinë? Pra, dikush duhet t’i japë përgjigje kësaj.

Po në tërësi për ekipet kombëtare, strategjia a është e duhura?

Më kryesorja sipas meje, gjë e cila pak është përmendur edhe nga mediat, është diku tjetër. Sipas meje, kryesorja është në përzgjedhjen e atyre që drejtojnë moshat në FSHF. Mua nuk më bind dhe në fakt nuk e di edhe se çfarë arsyesh mund të japin drejtuesit e federatës, se si ka mundësi që një ish-futbollist apo ish-trajner i rangut të mesëm nga Kroacia siç është Xhemal Mustedanagiç, ish-zëvendësi i Kuzhesë, i lihet në dorë që të jetë drejtori teknik dhe të ketë në varësi programin teknik të të gjithë moshave.

Një kroat, i cili nuk ka ndonjë CV shumë të madhe, i lejohet të drejtojë futbollin shqiptar për moshat. Aq më tepër që ky dha edhe provat me Kombëtaren U-17, të cilat ishin nën nivelin e kërkuar, ne e gradojmë dhe e vendosim në krye të futbollit shqiptar. Pra, një kroat që nuk ka fare CV vendoset për të ndihmuar futbollin shqiptar.

Kjo është më e keqja te ne, pasi kemi mjaft specialistë të mirë dhe të përgatitur në Shqipëri, të cilët mund ta bëjnë shumë mirë atë punë. Pra, i japim atij në dorë të ardhmen e futbollit tonë, e kuptoni se çfarë paradoksi është ky?