Të bisedosh me Astrit Hafizin të krijohet përshtypja se ke hapur një enciklopedi të futbollit shqiptar. Lojtar i spikatur dikur, trajner kampion me klube dhe më pas ndër shqiptarët më të suksesshëm që kanë drejtuar Kombëtaren. Dhe çfarë periudhe…! 1997-ta, kur Shqipëria i luante ndeshjet jashtë të gjitha.

Mirëpo, futbolli sa i bukur është, aq edhe të vendos në situata të vështira. Vuan jo gjithmonë për atë çka bën ti, por edhe për çfarë bëjnë të tjerët. Në këtë sport kolektiv, i cili është nën lupën e një populli të tërë, mjafton që dikush të bëjë një gabim ose faj dhe kritikat vërshojnë në drejtim të të gjithë ekipit apo edhe gjithë klubit. Ka pak nga ata që u rikthehen historive të hidhura, por Hafizi nuk hyn në listën e atyre që ngurron.

Dhe kur e pyet nëse e kanë tradhtuar ndonjëherë gjatë punës si trajner, ai e pranon se është ndier dy herë i prerë në besë. Rasti i parë është kur drejtonte Vllazninë në 1990-ën dhe lojtarët kishin bërë kompromis për ndeshjen kundër Besëlidhjes. Pakti i disa lojtarëve shkodranë ishte që t’ua linin ndeshjen lezhjanëve sepse ata rrezikonin të binin nga kategoria. Këtë na e zbuloi si ngjarje Ferid Rragami në intervistën e një dite më parë për “Panorama Sport”.

Tani e konfirmon edhe vetë trajneri i shquar, Hafizi. “Po, me Besëlidhjen ndodhi ashtu siç e ka thënë Ferid Rragami. Ishte viti 1990 dhe disa nga lojtarët e Vllaznisë kishin bërë pakt që ta linin ndeshjen për t’i bërë nder Besëlidhjes. E kuptova vonë që diçka kishin kurdisur dhe e futa në fushë Rragamin që në fund të pjesës së parë.

Ishte një pakt mes lojtarëve”, rrëfen Hafizi për “Panorama Sport”. Por kjo nuk ishte tradhtia e vetme që ka përjetuar nga skuadra e tij, ndoshta as më e madhja. “Për fat të keq, në Shqipëri ka pasur gjëra të tilla dhe mua më ka ndodhur kjo edhe një herë tjetër, sërish me Vllazninë…”, rrëfen ish-trajneri i Kombëtares shqiptare.

Profesor Hafizi, a është e vërtetë që në ndeshjen me Besëlidhjen në 1990-ën lojtarët e Vllaznisë kishin rënë dakord për ta lënë ndeshjen sepse i ndihmonin lezhjanët të mbijetonin?

Po, e vërtetë është. Për fat të keq, po. Por një pjesë e lojtarëve dhe jo e gjithë skuadra.

Ju kishit dijeni?

Unë nuk kisha dijeni dhe kur kuptova se diçka nuk shkonte gjatë ndeshjes, kam futur në fushë edhe Ferid Rragamin, madje ende pa u mbyllur pjesa e parë.

I thatë gjë Rragamit para se ta fusnit?

Jo, asgjë nuk i thashë, por e dija që ai ishte korrekt me lojën dhe me profesionin e tij.

Në fund fituat 4-2 apo jo?

Po, fituam 4-2 dhe ishte një lehtësi për një pjesë nga ne që nuk ishim përfshirë në të tilla marrëveshje.


Si e merrnin guximin lojtarët që të bënin një pakt me kokën e tyre?

Budallallëk i madh i tyre, sepse ne as nuk kishim ndonjë detyrim ndaj Besëlidhjes.


Po pastaj çfarë ndodhi?

E mora vesh kush e kishte bërë. Të paktën njërin prej tyre e mora vesh. Ishte një lojtar yni me disa futbollistë të Lezhës që kishin lidhje, pasi të afërmit e tyre punonin në disa ndërmarrje në Shkodër. E mora vesh, por nuk po e përmend emrin.


Çfarë i bëtë atij lojtari?

E dënova që të mos shkonte më as në Kombëtare, sepse ishte kontingjent i Kombëtares dhe, me sa mbaj mend, nuk shkoi më as në përfaqësuese. U mërzita shumë dhe nuk ia fala.


Po Ferid Rragami çfarë ju tha pas ndeshjes?

E vërteta është siç e ka përshkruar ai. Erdhi në dhomat e zhveshjes, ndezi edhe një cigare dhe na tha: “Jua priftë e mbara, unë e mbylla me futbollin”.


Ndezi një cigare në dhomat e zhveshjes në syrin tuaj?

Po, pikërisht ashtu. Unë e dija që pinte duhan, megjithëse ai ruhej gjithmonë, por atë moment vendosi ta ndizte në syrin tim. Ishte e fundit për të në ato dhoma zhveshjeje dhe çfarë mund t’i thosha në ato rrethana…


Si e vlerësoni atë gjest nga Rragami sot?

Ishte sjellje e një lojtari dhe e një burri të ndershëm. “Më falni, – tha – se unë do ta ndez një cigare, por nuk do t’ju bezdis më. Unë e mbylla me futbollin”.


Si u ndiet në ato momente?

Ishte situatë e çuditshme. Nga njëra anë më vinte inat që u përpoqën të na bënin diçka të tillë, por nga ana tjetër më vinte mirë që fituam dhe nuk i lejuam të çonin marrëveshjen sipas planit. Do të merrnim kosto me pa të drejtë shumica prej nesh. Ndërsa gjestin e Rragamit pa dyshim që e vlerësoj dhe nuk e kam harruar asnjëherë.


A ju ka ndodhur ndonjëherë tjetër që të jeni i tradhtuar në profesionin e trajnerit? (Mendohet dhe psherëtin…)

Po, ka ndodhur edhe një herë tjetër dhe ndoshta ka qenë edhe më e rëndë. Më e pakapërdishme për mua. Jeta i ka këto dhe bota jonë e futbollit e njeh edhe këtë anë të errët.


Mund të na e thoni kur ka ndodhur?

Ka ndodhur në sezonin 2001-2002, kur Dinamoja fitoi titullin. Ndeshjen e fundit e kishte me ne dhe duhet të fitonte patjetër, sepse edhe me barazim, po të fitonte Tirana, e humbnin titullin dhe e fitonin bardheblutë.

Çfarë ndodhi gjatë ndeshjes?

Gjatë ndeshjes disa lojtarë nuk u impenjuan sa duhet. Pati sjellje të çuditshme në momente kulmore. Dukej që kishin bërë marrëveshje me Dinamon në mënyrë “të nëndheshme”. U kuptua edhe gjatë lojës dhe, për fat të keq, na u desh të duronim të gjitha akuzat dhe dyshimet e opinionit publik se “e lamë ndeshjen”. Tirana ishte e para që na akuzoi, por e vërteta nuk ishte tamam ashtu. Aty vetëm disa lojtarë ishin të përfshirë në marrëveshje.

Mund të na i thoni emrat e atyre që dyshoni se nuk u impenjuan sa duhet kundër Dinamos?

Jo, mos ma kërkoni këtë. Ka kaluar shumë kohë. Nuk mendoj se ia vlen më.


Po të paktën na thoni disa nga ata që nuk e lanë atë ndeshje, pra që luajtën drejt?

Nuk kam qejf të përmend emra, por meqë këmbëngulni, po ju përmend Bejzaden. Skerdi nuk ka qenë pjesë e pazarit, sepse në atë ndeshje ka luftuar si bishë. Natyrisht, ai kishte edhe arsyet e veta, por e mbaj mend që ishte nga ata që dha shpirtin në fushë, edhe pse në fund ne e humbëm ndeshjen.


Çfarë arsyesh kishte Bejzade për të luajtur aq fort?

Sepse, edhe atë, ashtu si mua, Dinamo na kishte hequr 6-7 muaj më parë. Mos harroni, edhe unë kisha shumë arsye për të mos i hapur rrugë Dinamos, sepse më kishin larguar në mënyrë aspak të mirë 6 muaj më parë. Kështu pra, atyre që më akuzuan asokohe se edhe unë kisha pranuar atë lloj marrëveshjeje, po ju them tani se do të bëja çdo gjë në atë ndeshje, por jo t’i hapja rrugë Dinamos. Isha shumë i mërzitur me Dinamon, po ashtu edhe Bejzade.


Asokohe ka qenë president i Vllaznisë i ndjeri Myftar Çela, një njeri me influencë… A biseduat me të?

Jo, për ndeshjen nuk biseduam, por më vonë mora vesh se kishte pasur shumë trysni si nga Dinamoja dhe Tirana për të ndihmuar njërën prej tyre. I gjendur në situatë të tillë, nuk kishte marrë asgjë përsipër, madje as ka folur me skuadrën.


Çfarë ndodhi më pas?

U mbyll sezoni dhe unë vendosa të largohesha nga stoli i Vllaznisë.

Pse?

Sepse ajo që ndodhi nuk mund të kalohej lehtë. Ç’kuptim ka që ti punon me skuadrën dhe vjen një moment i tillë e të faturojnë diçka që nuk të përket dhe nuk e ke bërë. Ia thashë edhe Myftar Çelës këtë.


Çfarë i thatë saktësisht?

“Nuk do të vazhdoj më. Të falënderoj për mundësinë, por nuk do të vazhdoj më”. Kaq.


Sipas jush, kush e meritonte titullin në vitin 2002, Tirana apo Dinamoja?

Nuk më interesonte cila e meritonte dhe cila do ta fitonte. Unë thjesht nuk do t’i hapja kurrë rrugë Dinamos. Mbeta i zhgënjyer nga mënyra se si më hoqën blutë dhe sigurisht që kisha edhe një motiv personal për t’i ndalur, por kjo nuk mund të përkthehet si një simpati apo dëshirë për të ndihmuar Tiranën. Aspak. Thjesht doja të bëja punën time.


Çfarë ndodhi në 2001-2002

Në sezonin 2001-2002 u shpall Dinamoja kampione dhe titulli u vendos në ndeshjen e fundit të sezonit pas një gare të ethshme me Tiranën në javët e fundit. Atë edicion skuadrat mbërritën në finish me 1 pikë diferencë.

Në takimin e fundit, Dinamo (60 pikë) kishte një ndeshje shumë të vështirë në transfertë me Vllazninë e vendit të pestë, ndërsa Tirana (59) luante ndaj një kundërshtari më të lehtë në letër si Erzeni dhe për më tepër e priste në kryeqytet. Bardheblutë shpresonin shumë që shkodranët të mbanin edhe një barazim nëse nuk do t’i thyenin dot blutë e drejtuar nga Faruk Sejdini, sepse edhe kështu e parakalonin “nëndetësen”.

Tirana likuidoi pa probleme shijakasit dhe duke qenë se ndeshja në Shkodër deri në minutën e 89- të ishte 0-0, në kryeqytet po bënin gati podiumin dhe festën për titullin kampion, por në minutën e 89-të shënoi Klodian Asllani për Dinamon dhe titullin e morën blutë.