Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Astrit Hafizi, mendon se merita kryesore e teknikut aktual të kuqezinjve, Silvinjo, është se ka krijuar një grup me shumë harmoni. Duke krahasuar periudhat e ndryshëm të kuqezinjve, ai shpjegoi në “Studio Sport” në “Vizion+” se braziliani tashmë kishte për detyrë të bënte hapin tjetër të radhës, duke siguruar kalimin e grupit edhe në Europian.

“Krahasimet e kombëtareve duhen bërë më të shpejta, me periudhën më të afërt, me të Rejas, Panuçit dhe De Biazit. Për mendimin tim, është një kombëtare që nuk ka lider, ka krijuar një grup që është shumë i rëndësishëm për një skuadër futbolli.

Ato gjeste që kemi parë e diskutuar, duke dalë nga fusha e duke i rënë shishes me shkelm një lojtar nga nxemja, këto nuk i shohim. Apo duke lënë ekipin me 10 për një veprim të panevojshëm. Ai ka krijuar grup që për një kohë të shkurtër, është i etur për të marrë rezultat e famë, se duke shkuar atje merr famë.

Se si paraqitesh, e diskutojmë më vonë. Kjo ka bërë që luftojnë të gjithë. Por nga këto gjëra që prishin ekipin e stolin, si për shembull nuk gëzon me të tjerët apo hedh një fjalë, për ekipin kombëtar është problematikë.

Skuadra jonë tani është më e mirë se e Polonisë dhe e Çekisë. Ne i shfrytëzuam momentet pozitive dhe duhet të dalim të parët në grup, është shans i mirë të dalim në vazo të mirë e kemi edhe short të mirë.

Ama kemi momentin që në Europian të jem më mirë se në Francë, sipas mendimit tim, se i kemi mundësitë. Duhet të jemi mirë, të bëmë një bum. Unë mendoj se mos ta lëmë që të bëjmë vetëm paraqitje dinjitoze, mund të dalim edhe të tretët më të mirë apo të dytët në grup”, tha ndër të tjera Hafizi.