Vllaznia është duke kaluar një nga momentet më të vështira të viteve të fundit, teksa rënia nga kategoria duket vetëm një hap larg.
Shkodranët janë dy pikë larg Teutës dhe Kamzës, por takimi i radhës nuk flet në favor të ekipit të Gjokës, që duhet të udhëtojë në Tiranë për t’u ndeshur me Partizanin.
Në një intervistë për “Supersport”, ish-trajneri i Kombëtares dhe Vllaznisë, Astrit Hafizi, është shprehur kjo situatë ka ardhur falë keqmenaxhimit të bashkisë, ndërsa vë në dukje faktin se shumë futbollistë shkodranë po shkëlqejnë në Superiore.
“Kjo situatë e vështirë e Vllaznisë krijon një tronditje edhe nga ana shpirtërore dhe morale. Nuk u ndjeva mirë edhe nga rezultati i fundit që u arrit ndaj Kamzës.
Ai menaxhim i bërë nga bashkia te Vllaznia, la shumë për të dëshiruar, pasi nuk zgjodhi njerëzit e duhur në klub. Tashmë shohim sesi lojtarët e nivelit shumë të mirë janë larguar nga Vllaznia.
Por nëse sheh lojtarët e Superiores, atëherë sheh se shumë shkodranë kontribuojnë nëpër ekipet e tjera.
Për ta zgjedhur situatën e krijuar, duhet vetëm përpjekja dhe kontributi i lojtarëve.
Ky ekip me traditë kërkon lojtar me shpirt të madh për të përfaqësuar”, është shprehur Hafizi. /vipsport/