Besëlidhja edhe këtë fillimjavë u detyrua që ta zhvillojë seancën stërvitore në kalçeto. Kushtet e rënduara nga reshjet intensive të ditëve të fundit i kanë nxjerrë fushat jashtë funksionit. Pjesë e organikës ishin edhe dy të dëmtuarit: Arsen Hajdari dhe Nikolla Milanoviç.
Shtyrja e kampionatit vjen si me porosi për ta, pasi do të kenë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar e qenë gati për transfertën me Vorën. Sakaq, Sinan Bardhi pret një ekip perfekt. Edhe pse skuadra bindi kundër Besës, trajneri sheh ende gabime.
Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës “skanon” javën e parë të përgatitjeve dhe i bën një analizë të shkurtër miqësores së luajtur të shtunën. “Jam i kënaqur me lojën ndaj Besës, por ka përsëri vend për përmirësime. I kemi të gjitha mundësitë për të korrigjuar, ndaj do të vazhdojmë të përgatitemi. Jam i kënaqur edhe me afrimet e reja të merkatos së janarit.
Shpresoj që këta futbollistë ta kryejnë mirë detyrën, pasi vura re që cilësitë nuk u mungonin. Pavarësisht se fituam përballë një skuadre si Besa dhe për më tepër brenda në shtëpinë e saj, ajo ishte vetëm një miqësore. Na mbetet për detyrë që të marrim rezultate në ndeshje zyrtare. Na duhet punë e madhe për të rikuperuar pikët e humbura gjatë fazës së parë.
Tani në radhë kemi transfertën ndaj Vorës. Kundërshtarin e njohim mirë dhe duhet ta vlerësojmë maksimalisht. Ashtu si ne, me futbollistë cilësorë janë rifreskuar edhe skuadrat e tjera, ndaj na duhet shumë kujdes.
Duhet të luajmë me grintë e të japim maksimumin dhe kjo do të na çojë te fitorja. Ndonëse kemi një diferencë prej 8 pikësh me kreun, kjo është një shifër që e tejkalojmë lehtësisht, gjithnjë nëse japim maksimumin e mundësive tona, pasi ne me rivalët do të ndeshemi nga 3 herë.
Ndeshjen ndaj Vorës duhet ta fitojmë dhe kam besim te ju se do t’ia dalim”, u shpreh trajneri, i cili, në fakt, i kishte bërë llogaritë që me Vorën të luante këtë të shtunë. Derisa vendimi i FSHF-së u dha dje pasdite, nga sot pritet që programi stërvitor të ndryshojë.