Mbrojtësi i majtë 20 vjeçar shkodran Esin Hakaj ka kaluar një sezon më parë tek Partizani por nuk ka qenë shumë me fat. Disa dëmtime por edhe konkurrenca e madhe që ka patur me futbollistë si Kalari apo ndonjë tjetër, ka bërë që ai të mos luajë shumë. Por gjërat duket se nuk do të jenë kaq mirë edhe në sezonin e ri.
Arsyeja është e qartë: Drejtuesit e klubit të kuq kanë zyrtarizuar ditët e fundit një tjetër blerje në merkato: atë të ish-futbollistit të Teutës Kotebelli. Edhe ky futbollist luan në rolin e mbrojtësit të majtë e për këtë arsye, gjasat janë që Hakaj të mos ketë hapësirat e duhura në skuadër sërish. Në kushte të tilla, mbase ideale për të do të ishte rikthimi sërish në Shkodër tek Vllaznia e cila me siguri do të hyjë në merkato për të gjetur një mbrojtës të majtë sepse ai i mungoi në sezonin e kaluar.Ende nuk është e qartë nëse kjo lëvizje mund të bëhet pasi Partizani ia ka blerë kartonin klubit shkodran dhe për këtë arsye, duket e pamundur kjo gjë. E vetmja zgjidhje është nëse klubi kryeqytetas dëshiron ta lërë vetë të lirë këtë futbollist për të vazhduar karrierën diku tjetër.
www.shkodrasport.com