Erling Haland është kthyer të shënojë në Ligën e Kampioneve dhe sigurisht sa herë që ai tund rrjetën, vendoset një tjetër rekord në këtë turne ku ai që tani e sheh veten mes golashënuesve më të mëdhenj, ndonëse është vetëm 23-vjeçar.
Goli i shënuar dje ndaj Kopenhagës, ishte i 41-ti në karrierën e tij në Champions. Sigurisht, kjo bëri që ai të vendoste rekordin për moshën më të re në të cilën është arritur kjo shifër, si dhe u bë lojtari të cilit i janë dashur më pak ndeshje për të.
Haland iu deshën vetëm 37 ndeshje për të shënuar 41 gola, duke thyer rekordin që mbante më përpara Van Nistelroi, të cilit iu deshën 45 të tilla. Holandezi është i vetmi që mund t’i afrohet disi sulmuesit norvegjez, pasi pjesa tjetër e bomberave të Champions janë shumë të shkëputur.
Mesit iu deshën 61 ndeshje për të arritur këtë shifër, Mbape 62, ashtu si Levandovskit, ndërsa më pas është Nejmar me 65 ndeshje të luajtura për të arritur kuotën e 41 golave.