Refik Halilit i është sosur durimi. Presidenti i Tiranës ka zbritur në fushën stërvitore të ‘Skënder Halilit’, aty ku grupi po vijonte me seancën e rradhës dhe ka mbajtur një fjalim para lojtarëve dhe stafit teknik. Katër ndeshje pa fitore dhe humbja në Klasike janë të patolerueshme për një klub si Tirana.
Kreu i bardhebluve ka shkundur skuadrën dhe bën ultimatum për fitore ndaj Egnatias. Një sukses ndaj kryesuesve, sigurisht do të ishte oksigjen për lojtarët, por humbja do të ishte fatale pasi Dinamo e Skënderbeu janë direkt pas për një vend në Final Four.
Në një situatë të tillë, lëvizjet në merkato janë të detyrueshme pasi grupi nuk po përgjigjet në fushën e lojës. Klubi ka vendosur për një revolucion në merkaton e janarit dhe pas shitjes së Florent Hasanit pritet të ketë shumë largime të tjera.
Ardit Hila është i pari që do të largohet, por vetëm për klube të Kategorisë së Parë dhe jo rivalë si Vllaznia, Partizani e Egnatia.