Pasditja e sotme ka qenë e veçantë për organizimin e bërë në Shkodër në lidhje me 100 vjetorin e lindjes së ish- portierit të Vllaznisë Halit Laçej. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer i Bashkisë Shkodër, Federatës Shqiptare të Futbollit, KF Vllaznia dhe shoqatës së veteranëve të futbollit shkodran të cilët në bashkëpunim me familjen e të ndjerit Laçej, kishin vendosur ta përkujtonin atë në këtë përvjetor të veçantë.

Fillimisht është zhvilluar një kupë me emrin e tij ku kanë marrë pjesë dy ekipet e Akademisë Vllaznia, ai U-15 dhe U-14 si dhe ekipi “Atletik Club”. Finalja e këtij turneu ka qenë ajo në mes Vllaznisë U-15 që drejtohej nga Astrit Prençi dhe atij të “Atletik” me trajner Saimir Kaloshin. Ky i fundit ka fituar 2-0 duke merituar kupën “Halit Laçej”. Kanë marrë pjesë edhe dy anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së Fatbardh Jera dhe Abdyl Kuriu si dhe disa miq të ardhur nga Tirana për të asistuar në këtë ceremoni. Pas dorëzimit të kupës dhe medaljeve për më të mirët e kësaj kupe, të gjithë të pranishmit janë spostuar për në sallën e Këshillit Bashkiak Shkodër ku është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të një “Pllakate” Mirënjohje akorduar nga FSHF dhe që i është dorëzuar vajzës së Halit Laçejt nga Fatbardh Jera. Po ashtu i është dorëzuar të birit edhe fanella e kombëtares me numrin 1. Gjatë kësaj ceremonie kanë përshëndetur edhe Ramazan Rragami, Astrit Gjyrezi dhe Xhemal Bushati të cilët janë shprehur se të tilla aktivitete do të vazhdojnë edhe në të ardhmen sepse Shkodra ka shumë figura që e meritojnë të nderohen për atë kontribut që kanë dhënë në vite për sportin shkodran dhe atë shqiptar. Ndërkohë në fund është shfaqur edhe një dokumentar i përgatitur nga gazetari Defrim Methasani dhe RTSH në lidhje me karrierën e Halit Laçejt.
© shkodrasport.com