Ne Shkoder shumekush e akuzon Bashkine Shkoder pse nuk e privatizon Vllaznine.
Kjo ngaqe mendohet se provatizimi i klubeve shihet si një zgjedhje e duhur për mënyrën e menaxhimit të futbollit të sotëm.
Mirëpo, nëse i referohemi Shqipërisë, ka pasur precedentë kur presidentë klubesh kanë derdhur miliarda, por më pas kanë falimentuar dhe skuadrat kanë mbetur në mëshirë të fatit, duke pasur një rënie të theksuar.
Albert Xhani investoi për një dekadë te Partizani, por nuk arriti të fitonte dot një titull kampion dhe u largua në mënyrën më të keqe nga klubi historik i kryeqytetit.
Nga ana tjetër, thuajse e njëjta gjë ndodhi edhe me presidentin e Besës, Nexha Bizhdili, i cili pasi nuk ishte në gjendje të financonte skuadrën, kavajasit u zhytën në Kategorinë e Parë dhe prej vitesh nuk po ngrenë më kokë.
Në epokën Bizhdili, ekipi kavajas mori dy herë Kupën e Shqipërisë, por jo titullin.
Gjithashtu një tjetër qytet me traditë në futbollin shqiptar vuan pasojat e krizës financiare.
Elbasani i drejtuar nga Arben Laze, që 12 vite më parë u shpall kampion, pati një rënie të lirë, derisa këtë sezon militoi në Kategorinë e Parë.
Stadiumi “Elbasan Arena”, i quajtur për dekada “Ruzhdi Bizhuta”, dikur gjeneronte miliona, pasi tifozët vendës e mbushin në gjithë kapacitetin, por tani vetë Elbasani si ekip, e ka të vështirë të luajë në impiantin e rindërtuar vetëm pak vite më parë, e jo më t’i vijnë tifozë për ta mbështetur si në vitin e titullit.