Ndeshja e sotme mes Kukësit dhe Tiranës që do të luhet në orën 18:00 në “Air Albania” ka nxitur debat në emisionin “Pressing”. Në lidhje direkte nga Tetova, ish-trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka është shprehur se kjo është një ndeshje dinjitoze dhe se të gjithë e presin. Gjoka u shpreh se anon nga kollarja e Bulkut, duke zgjedhur kështu Tiranën.
Fjalët e trajnerit të mirënjohur nuk janë pritur mirë nga ish-kapiteni i Kukësit. Rrahman Hallaçi i është “kundërvënë” Gjokës, duke u shprehur se Kukësi i hapi derën në momente të vështira për të, ndaj duhet të ishte treguar i kujdesshëm.
“Mos të harrojmë një gjë që Kukësi i ka dhuruar gjithçka profesor Nestit, edhe në ditët më të vështira kur ishte te Vllaznia dhe te Kamza, Kukësi i hapi derën përsëri. Duhet të ishte pak më i kujdesshëm, pasi ishte buzë greminës.
Dikush ka dëshirë të fitojë Tirana, por duhet të ishte pak më i kujdesshëm. Profesori që po fliste, duhet të ishte pak më i kujdesshëm. Ne i kuptojmë gjërat, nuk ka pse të ngatërrohet ai. Paska të drejtën e vet?
Shumë bukur, edhe unë kam të drejtën time. Kukësi i hapi derën atij, nga Vllaznia, nga Kamza që u shkri fare. Mendimi im: Të thoshte që të fitojë skuadra më e mirë”, u shpreh Rrahman Hallaçi./newsport/