Hamdi Bakalli ka lindur në vitin 1923 në një familje që do dallohej shpejt për talentet që do të nxirrte në rradhët e saj megjithatë, ai do ishte personazhi kryesor. Hamdiu ka filluar të luajë futboll me Vllazninë në moshën 17 vjeçare, pikërisht në vitin 1939 krahas futbollistëve të tillë si Ernest Halepjani, Bimo Fakja, Muc Koxhja, Met Vasija, Preng Gjeloshi, Muhamet Dibra etj.
Në kampionatin e parë pas Çlirimit të vendit, në vitin 1945, Hamdi Bakalli ishte pjestar i ekipit “Ylli i Kuq” i Divizionit të Shkodrës.Pas krijimit të Partizanit, dy vjet më pas ai do të kalonte në rradhët e tij dhe krahas B. Fagut, Z. Lisit, Z. Gjinalit, A. Mehorit, thirret dhe rreshtohet përkrah tyre edhe H. Bakalli.
Të gjithë sëbashku ato, arrijnë të dominojnë në futbollin shqiptar dhe e fitojnë tre herë rradhazi titullin kampion. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, Hamdija kthehet në Shkodër dhe luan vetëm një gjysëm faze me Vllazninë pasi më 1950, kthehet sërish në kryeqytet.
Por me një ekip të ri, të sapokrijuar- Dinamon. Dhe që në vitin e parë të themelimit të saj, ajo do të shpallej kampione e vendit me vetëm një ndeshje të humbur dhe në këtë sukses, padyshim që një kontribut të madh luajti edhe Hamdi Bakalli, titull të cilin e pasuan edhe me tre të tjerë rradhazi për të mbërritur tek viti 1954 kur zbriti në vendin e dytë por një vit më pas, sërish kampione Dinamo.
Pikërisht pas këtij viti, më 1955, ai do të kthehej tek Vllaznia me të cilën luan deri në vitin 1960 duke u dalluar gjithnjë si sportist cilësor. Përveçse me këto tre ekipe, Hamdi Bakalli ka dhënë një kontribut të madh duke luajtur edhe rreth 50 ndeshje ndërkombëtare, me kombëtaren por edhe me klube të ndryshme duke spikatur me aftësitë e tij individuale por edhe si një golashënues i aftë.
Ai ka qenë përcaktues edhe në ndeshjet e kampionatit shqiptar. I tillë ka qenë goli i shënuar në ndeshjen Dinamo- Partizani të vitit 1953. Në minutën e 89-të kur rezultati ishte i barabartë 1-1, Bakalli ekzekuton me mjeshtëri një goditje me kokë duke shënuar dhe Dinamo meritoi titullin kampion.
Pas lënies së sportit, Hamdia ka punuar si mësues i edukimit fizik. Ai ka mbajtur titullin “Mjeshtër Sporti”. Për të plotësuar më së miri figurën e këtij personazhi, mjafton të themi se ai vinte nga një familje me tradita sportive.
Nga 5 vëllezërit që ishin në këtë familje, Hamdia më i madhi, Xhabiri, Alushi, Xhevati dhe Rifati, të pestë kanë luajtur futboll me ekipe të ndryshme të vendit. Në vitin 1955, duke luajtur në kampionatin kombëtar, tre vëllezërit u ndeshën mes tyre: Hamdiu me Dinamon, Alushi me Dinamon e Shkodrës dhe Xhabiri me Tomorin e Beratit.
Kjo është një nga familjet e këtij qyteti e cila ka qenë e lidhur ngushtë me sportin duke i dhuruar atij disa nga pjestarët e tyre. Natyrisht që është bukur diçka e tillë të lësh emrin tënd në sukseset që ekipe e qytete të ndryshme arrijnë.
Gjergj KOLA