www.shkodrasport.com
Hamdi Salihi: Do të kërkoj të shënoj edhe ndaj Norvegjisë
Sulmuesi shkodran, i cili luan me skuadrën kineze Jiangsu Sainti, ka deklaruar dje në konferencën për shtyp se ecuria e kuqezinjve këtë edicion do të varet pikërisht nga dy përballjet e njëpasnjëshme me Norvegjinë, më 22 mars në Oslo dhe më 7 qershor në Tiranë.“Së pari më duhet t’ju them se është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe shumë e vështirë. Gjithsesi ne shkojmë atje me besim në forcat tona dhe mendoj se mund t’ia dalim. Ne duhet mësojmë nga gabimet që kemi bërë në të kaluarën. Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të japim gjithçka në fushë. Ata janë një skuadër e mirë dhe me shumë kualitet, por ne mund t’ia dalim. Mendoj se grupi ka forcën dhe harmoninë e duhur për ta përballuar një sfidë të vështirë”, – ka pohuar fillimisht shkodrani. Më tej sulmuesi shqiptar ka bërë një ekspoze të kundërshtarit, natyrisht duke i vlerësuar maksimalisht. Madje, sipas tij, ata janë skuadra më e fortë në grup pas Zvicrës, e cila mbetet favoritja kryesore. Ndërkaq Salihi preku disi edhe faktin se tani po luan gjithnjë e më pak si titullar me Kombëtaren. “Kemi parë videon e fundit në ndeshjen me Zvicrën dhe mund t’ju them se ata realisht janë një skuadër e fortë. Nëse do të bënim një klasifikim për nga cilësia, unë mendoj se Norvegjia është skuadra e dytë më e rrezikshme pas Zvicrës, që mbetet favoritja për vendin e parë në grup. Porsa i përket faktit që tani luaj më pak, e konfirmoj që kështu është, por kjo ka ndodhur pasi unë kam qenë në një periudhë tranzicioni. Kam bërë disa lëvizje të rëndësishme në karrierë, çka mendoj se ka ndikuar. Megjithatë, e rëndësishme është që unë jam pjesë e përfaqësueses dhe jam gjithnjë i gatshëm për skuadrën. Këtë e kam treguar edhe kur isha në Amerikë dhe tani që luaj në Kinë. Unë ndihem plotësisht gati dhe ju siguroj se jam në një formë realisht të mirë. Fatmirësisht te skuadra kineze jam ambientuar mjaft mirë, madje më shpejt nga sa e prisja. Kjo më ka ndihmuar edhe në aspektin psikologjik dhe nëse luaj ndaj Norvegjisë, nëse luaj, do të kërkoj të shënoj”.