Hamdi Salihi ka vendosur që të vazhdojë karrierën e tij te skuadra e Viener Nojshtad, me të cilën ka rinovuar kontratën për një tjetër vit pak ditë më parë.

Pasi kishte shënuar 22 gola në sezonin e kaluar duke u afruar shumë me ngjitjen në elitën e futbollit austriak, sulmuesi ka vendosur që të provojë edhe një herë të ndihmojë këtë ekip të synojë objektivin, ndonëse nuk i mungonin ofertat nga klube të tjera të rëndësishme.

Salihi vendosi të qëndronte dhe klubi e shpërbleu në mënyrën e vet, duke i dorëzuar shiritin e kapitenit për sezonin e ri, ku ai do të ketë përkrah shumë lojtarë të rinj dhe duhet të shërbejë si lider në fushë dhe jashtë saj.

Futbollisti shqiptar ka dhënë shembullin e mirë që në ndeshjen e parë të sezonit, duelin përgatitor ndaj Shtadverke të fituar nga klubi i tij me shifrat 5-2.

Ai ishte autor i dy golave në pjesën e dytë të ndeshjes, duke treguar se pavarësisht moshës 34-vjeçare, mbetet një nuhatës i mirë i golit. /vipsport/