Nga Amerika në Kinë. Hamdi Salihi ka nisur një aventurë të re te skuadra e Jiangsu Santit. Ka nënshkruar për një vit, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër. Ka shkuar te nënkampionët e Kinës, por gjithsesi mbetet një sakrificë, ndaj edhe zgjedhja e tij ka qenë për të siguruar të ardhmen. “Ndonjëherë njerëzit kujtojnë se ne futbollistët flemë në stadium, por nuk është ashtu. Kemi edhe ne familje dhe duhet të mendojmë për të ardhmen”, – është përgjigja e Salihit kur pyetet se përse nuk zgjodhi një skuadër europiane. Hamdi, a jeni i lumtur te skuadra e re?
Deri tani po. Por jemi ende në fazë përgatitore dhe është vetëm fillimi. Gjithsesi impakti i parë është pozitiv.
Nga SHBA në Kinë. Përveçse futbollit, ju pëlqejnë edhe aventurat me sa duket…
Po, aventurat më pëlqejnë. Nëse nuk eksploron dhe nuk provon mundësitë që të jepen tani, nuk mund ta bësh kur e ke lënë futbollin.
Gjithsesi, kontrata juaj me një klub kinez nuk ishte vetëm për të provuar një aventurë të re kaq të largët apo jo…?
Po, e vërtetë, nuk është vetëm aventurë. Është edhe një mundësi e mirë për mua. Dua t’ju them se ne futbollistët e kemi kohën e limituar në aktivitet në nivele të larta, ndaj na duhet të bëjmë edhe disa zgjedhje për të ardhmen. Ndonjëherë njerëzit kujtojnë se ne futbollistët flemë në stadium, por nuk është ashtu. Kemi edhe ne familje dhe duhet të mendojmë për të ardhmen.
Nuk patët asnjë mundësi që të firmosnit me ndonjë klub europian?
T’ju them të drejtën pata disa oferta. Madje po ju them sinqerisht se ishin oferta të mira. Mund të kisha shkuar në ndonjë klub të mirë të Bundesligës 2, apo edhe në ndonjë skuadër tjetër europiane, por oferta nga Kina ishte vërtet shumë joshëse dhe ishte më e mira. Madje, meqë jemi në këtë temë, përfitoj nga rasti t’i falënderoj publikisht Ervin Skelën dhe Uliks Kotrrin, të cilët realisht më paraqitën oferta konkrete nga klube të mira, por në fund m’u desh të bëja një zgjedhje që vlente shumë për të ardhmen.
Në media u publikua shifra prej 700 mijë dollarësh për dy vite te klubi kinez. A është kjo shifra reale që do të përfitoni nga Jiangsu Santi?
Nuk është mirë të nxjerrim në publik gjëra që janë kaq personale. Pastaj jam i bindur se, nëse ua them shifrën, ju do ta vendosni në titull të madh… Nuk më pëlqen që të krijohet ideja se këtu erdha vetëm për aspektin financiar. E zgjodha këtë klub edhe për shkak se kisha dëshirë që të provoja një aventurë të re.
Si merreni vesh me shokët e skuadrës?
Në anglisht, ashtu sikundër më ka ndodhur në disa klube. Një pjesë prej tyre e dinë mirë anglishten, por ka edhe nga ata që nuk dinë asnjë fjalë. Gjithsesi, po ia dal mirë deri tani.
Keni përkthyes personal, apo është përkthyesi i klubit?
Ka disa përkthyes klubi që ndihmojnë gjatë gjithë kohës.
Ju keni luajtur në Austri, më pas në SHBA dhe tani po stërviteni me në një skuadër kineze. Çfarë ju bën më shumë përshtypje te Jiangsu Santi?
Disiplina. Këta janë “maniakë” të disiplinës. Oraret, sistemi stërvitor, por edhe detajet e vogla. Gjithsesi, më pëlqen kjo gjë, sepse kur isha te DC Junajtid shpesh e ndieja mungesën e disiplinës, sidomos në aspektin taktik të vendosjes së skuadrës.
Si u ndatë me klubin amerikan?
Mirë. Sigurisht, doja që gjërat të kishin shkuar më mirë dhe të kisha luajtur më shumë, apo të kisha shënuar më shumë gola, por tani nuk kam ndonjë pishman, sepse unë atje kam dhënë gjithnjë maksimumin sa herë kam hyrë në fushë.
Trajneri tha se ju nuk bënit më pjesë në planet e tij?
Këtë nuk e ka thënë trajneri, por e ka thënë drejtori i klubit. Ai është shprehur kështu, pasi unë pata një bisedë të hapur me trajnerin dhe ia bëra të qartë se nuk mund të pranoja një tjetër sezon në hije. Kur ai më tha se nuk më garantonte dot për një vend titullari, atëherë vendosa të shikoja për mundësi të tjera.
Tani që do të luani në Kinë, a mendoni se kjo mund t’ju penalizojë në Kombëtare?
Është thuajse e njëjta distancë që përshkruaja edhe kur luaja te DC Junajtid. Unë e kam thënë dhjetëra hera se për Kombëtaren jap gjithçka dhe do të jem i gatshëm sa herë që të më thërrasin. Nëse De Biazi mendon se mund t’i nevojitem, unë do të jem i gatshëm. Gjithsesi, dua të theksoj se as unë dhe as ndonjë futbollist tjetër nuk përfitojmë ndonjë të mirë materiale nga ekipi kombëtar. Ne bëjmë detyrën dhe luftojmë për atë fanellë që e duan të gjithë shqiptarët, por nuk duhet parë si një humbje apo si një përfitim material nëse thirresh ose jo në Kombëtare. Është thjesht çështje shpirtërore.
Në një kohë që Drogba dhe Anelka rikthehen në Europë pas aventurave në Kinë, ju vendosët të shkoni atje. A ju vjen keq që nuk do të përballeni me ta?
Do të ishte mirë që ata të ishin në kampionatin kinez. Janë lojtarë kalibri dhe sfidat bëhen më tërheqëse.
Sa e njihnit Kinën para se të firmosnit me Jiangsu Santin?
Aq sa shumica e shqiptarëve. Megjithatë, po ju them se unë asnjëherë nuk firmos për një klub pa u informuar mirë mbi gjendjen e tij dhe mbi detajet më të hollësishme. Jiangsu Santi është skuadra e qytetit në Nanzhingut, ku do të zhvillohen Lojërat verore Olimpike të të rinjve në vitin 2014. Qytet me klimë të mirë dhe me një zhvillim të jashtëzakonshëm infrastrukturor. Klubi ka një menaxhim të shkëlqyer dhe një ndër më të mirët e vendit.
Do të luani edhe në Champions-in e Azisë…
Po, dhe kjo më pëlqen shumë. Mendoj se do të jetë një eksperiencë e shkëlqyer.
Po për ushqimin si do t’ia bëni? Kulturat e të ushqyerit mes dy vendeve janë shumë të ndryshme.
Nuk e kam aspak problem. Madje po ju them se edhe kur isha në SHBA, ushqehesha shumicën e kohës në restorantet kineze.
Çfarë ju thanë familjarët kur e morën vesh se do të shkonit në Kinë?
Asgjë të veçantë. Gjatë gjithë kohës jam konsultuar me ta para se të bëja zgjedhjen, ndaj nuk ishte ndonjë befasi për ta.
Po nga miqtë pati ndonjë batutë?
Po, pati disa batuta nga shokët e mi të Kombëtares. Disa prej tyre erdhën të më vizitonin këtu në Turqi (ku po zhvillon fazën përgatitore) dhe panë disa seanca stërvitore. Pas stërvitjes po më thoshin se me këtë regjim ka për të më dalë shkuma…
Si janë raportet me trajnerin serb të skuadrës, Dragan Okuka?
Shumë të mira. Ishte ai që këmbënguli të më merrte në skuadër.