EKSKLUZIVE – Në një intervistë ekskluzive për “Dielli.al”, sulmuesi i kuq-e-zinjëve, Hamdi Salihi, beson se Kombëtarja shqiptare i ka shanset për ta mundur skuadrën e Hitzfeld. Bomberi shkodran theksoi se, matematikisht, kemi mundësitë për të qenë në Play Off; por, gjithsesi nuk duhet të mbajmë mendjen tek matematika.  “Do të bëjmë të pamundurën për të fituar”, – i tha Dielli.al mjeshtri i formacionit të kombëtares tonë.
-Hamdi,Zvicra është skuadër me kualitete, sa e vështirë është të shënosh kundrejt tyre?
-Zvicra ka një skuadër me kualitete shumë të mira. Sigurisht, synimi ynë është të fitojmë: Kur hyjmë në fushë, hyjmë për të të luajtur mirë dhe për të fituar. Por, fatit nuk i dihet: Të pranueshme janë si humbja, si fitorja: pra, njëra humbet tjetra fiton. Unë mendoj se duhet t’i pranojmë të dyja. Për sa i përket vështirësisë për të shënuar, varet nga rrjedha e lojës.
-A premtoni gol për tifozët?
-Nuk mund të premtoj gol, por nëse do të luaj, do të mundohem të bëj maksimumin tim, në pozicionin që do të më caktohet.
-Do të luani në formacionin e parë?
-Trajneri nuk e ka caktuar akoma përfundimisht formacionin zyrtar dhe, nuk dihet nëse do të luaj që në fillim apo jo.
-Për çfarë do të luhet kjo ndeshje kur dihet se pothuajse nuk kemi aq shanse për të shkuar në Botëror?
-Edhe nëse nuk do të kemi shance për tu kualifikuar në botëror, kjo nuk do të thotë që nuk duhet të luajmë ndeshjet që kanë mbetur. Matematikisht, ekzistojnë mundësitë për të qenë në Play Off dhe do të bëjmë maksimumin. Edhe nëse nuk do të mund të kualifikohemi në vend të dytë, këto dy ndeshje kanë rëndësi sepse do të mund të na ngjisin një vazo më lart dhe kjo është e rëndësishme për eliminatoret e ardhshme.
-Besoni se mund të fitojmë?
-Besimi është gjithmonë para çdo ndeshjeje. Për çdo ndeshje që luajmë në Tiranë, besoj se duhet dhe mund ta fitojmë ndaj cilitdo kundërshtar. Nuk duhet ta mbajmë mendjen tek matematika, por të përpiqemi që të fitojmë.
-Cili është opinioni juaj për lojtarët shqiptar që luajnë me Zvicrën?
-Nuk kam asgjë të veçantë për ta. Ata kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe i respektoj si çdo kundërshtar dhe janë lojtarë me kualitet të lartë.
-Të ndalemi pak tek ju. Sa e ndiqni futbollin shqiptar?
-Mundohem ta ndjek, me aq sa mundem; lajmet dhe shtypin më së shumti. Pasi nuk kam aq kohë të mjaftueshme, por gjithnjë jam koherent me ngjarjet rreth kampionatit shqiptar të futbollit.
-Po Vllazninë tuaj? Si i’u duket?
-Siç të thashë, mundohem të lexoj shtypin e përditshëm; atë online dhe lajmet në lidhje me kampionatin shqiptar. Padyshim, informohem edhe rreth Vllaznisë. Vllaznia është një ekip i mirë, pavarësisht në fillim kishte vështirësi me organizimin e ekipit, por si gjithmonë me pak punë bëhet ekipi më i mirë i kampionatit. Them, se tashmë është në atë rrugë.

Intervistoi: Eva Marku