Një gol në katër ndeshjet zyrtare në Ligën e Kombeve ishin shumë pak për kuqezinjtë, që u futën me objektivin për të fituar grupin në Ligën C. Kush më mirë sesa Hamdi Salihi mund të shpjegojë mungesën e golit në Kombëtaren shqiptare.

Bomberi shkodran, i cili ka luajtur në 50 takime me fanellën kuqezi duke shënuar 11 gola, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, analizon çfarë nuk ka shkuar si duhet me manovrën sulmuese, mungesën e rezultateve të kuqezinjve, vendimi për vazhdimësinë e trajnerit Panuçi dhe të ardhmes së tij.

Salihi, si e keni parë Kombëtaren së fundmi?

Dy ndeshjet me Izraelin i kam ndjekur nga afër dhe më kanë pëlqyer. Pastaj, ndeshja me Skocinë shkoi ashtu siç shkoi dhe është e vështirë që të gjykohet. Ndërsa me Uellsin besoj se ishte një ndeshje e kënaqshme. Sipas meje, ekipi po rritet pak nga pak dhe presioni që ka rrethuar Kombëtaren në këtë periudhë ka ndikuar jashtëzakonisht te lojtarët si në cilësi, ashtu edhe sa u përket nervave.

Liga e Kombeve ishte një kompeticion, në të cilin Shqipëria u fut për të fituar grupin, duke qenë se përballë ishin skuadra të të njëjtit nivel. Sipas jush, si ndahen përqindjet e dështimit?

Meqenëse ekipet ishin të barabarta, kuptohet që grupin mund ta fitonte secila nga skuadrat. Unë besoj se kemi gabuar vetëm në ndeshjen me Skocinë në Shkodër, në krahasim me kundërshtarët tanë. Po Shqipëria fitoi vetëm një ndeshje dhe u mund në 3 të tjerat… Secili ka fituar në shtëpi dhe ka humbur jashtë. Nëse ne do të kishim fituar në Shkodër, do të kishim qenë të gjithë njësoj. Prandaj, unë personalisht nuk mund ta quaj dështim kur në fakt kemi gabuar vetëm në një ndeshje, të cilën, siç e thashë më sipër, është e vështirë që ta analizosh.

Shqipëria shënon shumë pak. Pse ndodh kjo?

Po, është e vërtetë, por siç e thashë, presioni ka qenë shumë i madh dhe kjo gjë besoj se ka ndikuar shumë për të mos qenë të saktë para porte.

Vetëm çështje presioni apo edhe manovra sulmuese nuk ka qenë siç duhet? Si e gjykon një goleador si Salihi?

Unë mendoj se në këtë periudhë kemi vuajtur pak në qarkullimin e topit në mesfushë. Ndoshta, kjo edhe nga ndërrimi i shpeshtë i lojtarëve në këtë repart, gjë e cila e ka penalizuar shumë edhe sulmin sepse nuk kemi arritur t’i ndërtojmë aksionet si duhet, por kemi shkuar drejt portës kundërshtare pa shumë logjikë.

Panuçi, pas 13 ndeshjesh, deklaroi se duhet të ndryshojmë strategji loje sepse ka qenë e gabuar deri më tani. Altin Lala deklaroi se është diçka e vonuar pasi mjaftojnë 2 apo 3 ndeshje. Ju si e gjykoni?

Personalisht mendoj se kjo ka qenë një periudhë e vështirë për trajnerin. Përveç strategjisë së lojës, atij i është dashur fillimisht që të gjejë lojtarët që duhen.

Kishte nevojë për kaq shumë lojtarë?

Po, sepse pjesa më e madhe e lojtarëve kanë pasur probleme të vazhdueshme në skuadrat e tyre, disa për dëmtime dhe disa për mosaktivizim. Nëse do të ishin lojtarët në formën e duhur dhe nuk do të kishte ndryshime kaq të mëdha edhe në listën e lojtarëve, jam i mendimit që edhe për Panuçin do të ishin dashur më pak ndeshje për të vendosur strategjinë e duhur të lojës.

Si e gjykoni sjelljen e trajnerit me Agollin?

E kam thënë edhe më parë, që një futbollisti nuk i bëhet asnjëherë llogaria me laps dhe me letër, por shfrytëzohet deri sa të ketë mundësi të luajë. Për këtë arsye, jam i mendimit që Ansi mund të ishte shfrytëzuar shumë mirë në këtë periudhë, pa menduar se çfarë do të ndodhë pas një apo dy vitesh me të.

Salihi, jeni pro apo kundër qëndrimit të Panuçit?

Për momentin, zgjedhja që ka bërë presidenti Duka më duket shumë logjike. Në rast zgjedhjeje të një trajneri të ri, do të duhej t’i jepnim edhe një herë nga fillimi kohën për të njohur ekipin, për të gjetur strategjinë dhe për të vendosur ekuilibrat sipas tij. Gjëra që Panuçi tani i ka ezauruar dhe tani mund t’i kërkosh drejtpërdrejt rezultatin. Mua kjo më duket zgjedhja më logjike.

Çfarë duhet ndryshuar në Kombëtare?

Besoj se si fillim duhet medoemos të ndryshojë klima dhe presioni rreth Kombëtares, pasi kjo gjë i ngarkon jashtëzakonisht shumë lojtarët dhe nuk i lejon të shprehen siç duhet. Trajneri duhet të krijojë një grup stabël prej 16-18 lojtarësh, të cilët ai i mendon se do të përballojë me ta kualifikueset dhe gjithmonë të ndërrohen jo më shumë se 5 apo 6 futbollistë në çdo grumbullim.

Pse mendoni se është e domosdoshme kjo gjë?

Duhet për faktin që lojtarët të fitojnë një farë besimi dhe të njohin gjithmonë e më shumë njëri-tjetrin. Dhe në fund, më kryesorja, duhet të shpresojmë që lojtarët e Kombëtares do të jenë protagonistë nëpër ekipet e tyre dhe të jenë sa më në formë gjatë kualifikueseve.

Klodian Duro ka deklaruar se është gati nëse i ofrohet drejtimi i Kombëtares. A keni një koment për këtë?

Klodin e kam ndjekur këtë periudhë me vëmendje edhe si trajner dhe më pëlqen mënyra si e vendos ekipin në fushë dhe qetësia apo siguria që ai transmeton. Gjithmonë kam pasur besim tek aftësitë e tij dhe ai e di këtë gjë shumë mirë.

Çfarë do të ndodhë me Salihin në Austri dhe cilat janë planet tuaja për të ardhmen?

Besoj se do të jetë viti i fundit që do të luaj në nivel profesionist. Që nga fillimi i vitit të ri kam dëshirë që të filloj të angazhohem dalëngadalë te pjesa e trajningut në mënyrë që kur ta mbyll pjesën e futbollit të luajtur, të kem një farë eksperiencë për të vazhduar si trajner. Jam duke menduar opsionet që kam rreth kësaj çështjeje dhe besoj se shpejt do të ndërmarr një vendim.