Është një rast i rrallë në këtë sezon, por ndodh. Hamdi Salihi nuk ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës për skuadrën e Viener Nojshtad dhe kaq i ka mjaftuar ekipit të sulmuesit shkodran që të humbë kreun e klasifikimit në kategorinë e dytë austriake. Sulmuesi shqiptar luajti si zakonisht nga minuta e parë në duelin kundër Leifering, ekipin e dytë të RB Salcburg i cili militon në kategorinë e dytë austriake dhe ku luajnë disa nga talentet e reja të klubit të njohur austriak.

Salihi nuk arriti të gjente hapësira për të dërguar topin në rrjetë në këtë sfidë dhe u zëvendësua në minutën e 79 të duelit që u mbyll në barazim 0-0. Por fitorja e Ried bëri që Viener Nojshtad të zbresë në vendin e dytë në klasifikim, me 2 pikë më pak se kryesuesit pas 18 javëve të para.Gjatë kësaj periudhe, Salihi ka qenë forca kryesore e sulmit për skuadrën e tij, duke shënuar 14 nga 25 golat e realizuar nga Nojshtad në këtë sezon.