Një etapë e re fillon në jetën e Hamdi Salihit, i cili është zhvendosur me familjen e tij në Kaliforni, në SHBA-në e largët, duke kërkuar që paralelisht me detyrën e zëvendëstrajenrit të përfaqësueses, të kërkojë një karrierë si trajner përtej Atlantikut.

“Për momentin po, dhe besoj se kam bërë një zgjedhje të mirë. Por ta shohim, janë gjëra që mundohem t’i vendos me familjen dhe të shohim. Merrem 24 orë në ditë që të merrem për futboll me ata që kemi në ekip kombëtar e duke kërkuar lojtarë të tjerë, por edhe të merrem këtu të afrohem pak nga pak me ekipet që janë rrethe e qark këtu”, shpjegoi Salihi në “SuperSport”, ku ai më pas foli edhe për kampionatin shqiptar.

“Më vjen mirë se është një Vllazni që nuk e kisha menduar kaq kompetitive e të mirëvendosur në fushë. Për këtë përgëzoj lojtarët e stafin, Licin e të tjerët se e di që kanë pasur punë të vështirë për të bërë e besoj se ia kanë arritur.

Tiran e ka grupin, nuk është se po luan keq, por pjesa më e vështirë është se ndoshta opinioni, drejtuesit e lojtarët gabojnë se duan që të shkëputen që në javën e 5 e të 6, të jenë të vetëm në kreun e klasifikimit. Gjëja e vetme që kanë nevojë e të bëjnë është vetëm durimi, nga java në javë do të binden e gjërat do të shkojnë ku duhet. Është e vështirë sidomos në kohët e fundit që Tirana të ketë këtë luks, që të ketë durim e t’i japë kohë trajnerëve që të shprehin idetë e tyre për faktin se u bënë disa vite që nuk fiton titullin. Edhe drejtuesit janë të padurueshëm e janë edhe pesimistë, bien shpejt te ideja që është i njëjti vit si i kaluari e ndodhin këto si ndodhin. Gjëja e vetme që duhet të ngulin në kokë është durimi.

Dënimi i Skënderbeut? Unë jo vetëm shpresoj, por edhe besoj që nuk do të ndodhë një gjë e tillë sepse unë vetë si lojtar e si sportdashës më vjen keq dhe do të ishte një mëkat që një ekip, ose një klub i organizuar në mënyrë të tillë të mos jetë më pjesë e futbollit shqiptar.

Besoj se do të kalojnë këtë pjesë dhe kam qenë që në ditën e parë besimplotë se çdo gjë që ka ndodhur deri tani është e gabuar dhe e ekzagjeruar, dhe besoj se pas gjithë këtyre vuajtjeve do të vijë e drejta dhe ta fitojnë këtë gjë. Është një klub e qytet ku kam kaluar një pjesë të mirë të karrierës me suksese shumë të mëdha, por do të ishte mëkat nëse gjithçka zerohet nga ajo që është bërë deri tani dhe nuk do të ekzistojë më”, tha Salihi. /vipsport/