Hamdi Salihi realizon supergol në kampionatin izraelit
Tjetër gol dhe spektakël i një shkodrani. Tre gola në tri ndeshje, Hamdi Salihi nuk ndalet në Izrael. Sulmuesi shkodran dje ka arritur të shënojë sërish për Hapoel Ironi Akre, por këtë herë goli i tij ka mrekulluar izraelitët. Në ndeshjen kundër Makabi Haifa në shtëpi, në një stadium të tejmbushur, Salihi ka realizuar një supergol me roveshatë, ashtu siç di t’i bëjë vetëm ai. Në minutën e 38-të, pas një krosimi nga krahu i djathtë, sulmuesi shfaqet i lirë brenda zone dhe me një veprim të shkëlqyer akrobatik e dërgon topin në trekëndësh. Megjithatë, ky gol nuk mjaftoi që skuadra e shqiptarit të fitonte, pasi Makabi barazoi afër fundit dhe ndeshja u mbyll 1-1. “Sapo e pashë që po vinte topi, u pozicionova për të gjuajtur në atë formë. Pas ndeshjes më kanë telefonuar shumë gazetarë dhe këtu po e cilësojnë si golin më të bukur të sezonit. Është një gol që më motivon shumë për të vazhduar kështu. Erdha në Izrael, pasi trajneri dhe drejtuesit e Hapoel Akre kishin shumë besim te unë. Më mirë në një ekip ku të gjithë besojnë te ty, se sa te një ekip që thjesht je një nga 22-23 lojtarët. Këtu është një kampionat shumë i fortë, ku luhet një futboll i shpejtë dhe agresiv. Unë e dija që më parë, pasi më kanë kontaktuar edhe ekipe të tjera izraelite”, – ka thënë fillimisht Salihi. Në këtë mënyrë, sulmuesi shkodran na bën të krenohemi sërish me të kudo ku luan. Pas Shqipërisë, Austrisë, Amerikës, Kinës, tani ai po bën mirë edhe në Izrael, madje me gola spektakolarë.