Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi ka gjetur për herë të 15-të rrugën e rrjetës në këtë sezon, duke arritur të barazojë shifrën e golave të shënuar një vit më parë në të gjithë kampionatin me ekipin e Skënderbeut. Sulmuesi shkodran ka shënuar sot në suksesin 6-3 të Viener Nojshtad përballë BV Linz, duke e ndihmuar ekipin e tij që të ruajë vendin e dytë në renditjen e kampiontit. Salihi nuk kishte shënuar në tre takimet e fundit dhe në Austri kishte filluar të flitej për krizë të lojtarit para portës.
Por bomberi shkodran gjeti rrugën e rrjetës duke i dhënë fund këtyre zërave pasi shënoi golin e tretë për ekipin e tij në këtë fitore që i mundëson të jetë në ndjekje të Riedit kryesues dhe në zonën që garanton ngjitjen në elitën e futbollit austriak në sezonin e ardhshëm. Një vit më parë, me fanellën e Skënderbeut, Salihit iu deshën 33 ndeshje për të arritur në kuotën e 15 golave, ndërsa në këtë sezon, ai ka arritur ta shënojë këtë shifër në vetëm 20 ndeshje të luajtura me skuadrën e tij.
© shkodrasport.com