Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi vazhdon paraqitjen e tij të mirë me skuadrën kineze Jiangsu Santy. Ai në ndeshjen e luajtur sot, të vlefshme për kampionatin kinez të futbollit ndaj ekipit Shangai Shenxin, ka shënuar të dy golat për skuadrën e tij duke i dhënë asaj barazimin 2-2. Goli i parë i ndeshjes është shënuar nga ekipi kundërshtar në minutën e 51-të dhe shtatë minuta më vonë, Jiangsu ka fituar një 11-metërsh. Trajneri ka caktuar Salihin për ta ekzekutuar atë dhe ai ka qenë i saktë duke barazuar shifrat. Megjithatë ky barazim nuk ka zgjatur shumë sepse Shangai ka shënuar edhe golin e dytë në minutën e 64-të. Kur dukej se ndeshja po shkonte drejt fundit me këtë rezultat, ka qenë pikërisht Hamdi Salihi ai që ka shënuar golin e dytë dhe të barazimit, pikërisht në minutën e 90-të duke fiksuar rezultatin përfundimtar të ndeshjes 2-2 dhe duke i dhënë një pikë ekipit të tij. Ky është goli i tretë në kampionatin kinez për sulmuesin shkodran në po kaq ndeshje të luajtura ndërkohë që ka shënuar edhe në ndeshjen e Champions League të Azisë dhe në Superkupën e Kinës duke patur një bilanc shumë pozitiv prej 5 ndeshjesh dhe 5 golash të shënuar, pa lënë mënjanë këtu kurrsesi golin shumë të rëndësishëm të shënuar për kombëtaren tonë ndaj Norvegjisë.
Gjergj KOLA