Sulmuesi shqiptar, Hamdi Salihi, që luan në Austri me skuadrën e Wiener Neustadt, ka gjetur sërish rrjetën me skuadrën e tij. Në sfidën që skuadra e Neustadt luajti dhe fitoi kundër Horn, në ligën e dytë të futbollit në Austri, Hamdi Salihi shënoi golin e dytë të takimit, por që rezultoi me vlerën e tre pikëve.
Skuadra e shkodranit kaloi e para në avantazh me anë të Hager në minutën e 10` të takimit ndërsa pjesa e parë do të mbyllej me këto shifra. Katër minuta pas nisjes së pjesës së dytë, në të 49`, Hamdi Salihi shënon golin e dytë për skuadrën e tij, duke çuar shifrat në 2-0.
Por miqtë do të ngushtonin shifrat në minutën e 74` me anë të Miloseviç, duke krijuar presion te skuadra e Neustadt. Pas këtij goli trajneri i skuadrës së Wiener Neustadt e zëvendëson Hamdi Salihin për arsye taktike.
Në fushën e lojës futet një mbrojtës, për të krijuar më shumë siguri në repartin e prapavijës. Por në fund të takimit, në minutën e 90+3`, skuadra e Neustadt shënon dhe golin e tretë duke marrë një fitore me shumë vlerë, që e ngjit ekipin në kuotën e 21 pikëve dhe vendin e pestë në Ligën e Dytë të futbollit në Austri. Për Hamdi Salihin ky ishte goli i katër në këtë kampionat./telesport/