www.shkodrasport.com
Hamdi Salihi shënon për kinezët e Jiangsu në Ligën e Kampioneve
Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi vazhdon të shënojë, tashmë edhe në Kinë. Ai ka arritur ta bëjë këtë gjë që në ndeshjen e tij të parë me skuadrën e tij të re, Jiangsu, në takimin e vlefshëm për Ligën e Kampioneve të Azisë. Ndeshja e luajtur pasditen e djeshme në Japoni në mes skuadrës vendase Seul dhe asaj kineze Jiangsu ka përfunduar me fitoren e së parës me rezultatin e thellë 5- 1. Salihi nuk e ka nisur ndeshjen si titullar por është aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë. Në minutën e 80-të të ndeshjes, sulmuesi 29 vjeçar shkodran ka arritur të shënojë golin e vetëm për kinezët. Një gol që në debutim çka tregon se ky njeri e ka në gjak golin. Ka arritur të shënojë gola të rëndësishëm në Shqipëri kur luante për Vllazninë dhe Tiranën, ka arritur të shënojë gola të tillë edhe në Austri me Ried dhe Rapidin e Vjenës, ka shënuar edhe në Amerikë dhe tashmë ka filluar të shënojë edhe në Kinën e largët. Trajneri I skuadrës së tij të re, e vlerëson shumë këtë sulmues duke thënë se ai do jetë një ndihmë e madhe që Jiangsu të shpallet kampione e Kinës dhe po ashtu të bëjë një paraqitje të mirë edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë pavarësisht humbjes së fundit. Por nëse Salihi vazhdon të shënojë me klubet, ai tashmë pritet të kthehet dhe ta bëjë një gjë të tillë edhe për kombëtaren shqiptare teksa në ndeshjet e fundit nuk u pat grumbulluar nga trajneri De Biazi. Megjithatë goli I djeshëm për skuadrën kineze është një sinjal se Hamdi Salihi nuk e ka harruar vesin e tij të shënimit të golave dhe është I rëndësishëm në çdo moment për skuadrat, pjesë e të cilave ai është.