Sulmuesi shkodran, Hamdi Salihi, ka folur për shtypin sportiv austriak në lidhje me nivelin e Bundesligës.

Sulmuesi veteran, që luan në kategorinë e dytë austriake, por me të njëjtën nuhatje goli, ka dhënë mendimet e tij për ndryshimin mes periudhave kur ai luante me Rapidin dhe këtë aktuale.

Ja dhe artikulli i plotë nga “SPOX.com”:

Hamdi Salihi është një nga sulmuesit më rezultativë të Bundesligës në 10 vitet e fundit.

Ai ka shënuar 70 gola në periudhën 2007-2012, kur luajti për Riedin dhe Rapidin e Vjenës.

Shumë vite më pas, pas përvojave në SHBA, Izrael dhe Shqipëria, ai di mirë ta gjejë rrugën e rrjetës. 34-vjeçari u kthye në Austri dhe u bashkua me Neustadt.

Me ekipin e tij është në vend të dytë në Bundeligën 2 dhe synon të ngjitet në elitën e futbollit austriak, që Salihi e përkufizon kështu:

“Nuk ka shumë dallime. Është Salcburgu, pastaj dy-tre skuadra të tjera, ndërsa pjesa tjetër është pak a shumë në një niveli.

Më parë, çdo ekip kishte lojtarë vërtet të mirë. Rapidi ka pasur lojtarë shumë të mirë si Junuzoviç, Açimoviç, Sutner, Baumgartlinger.

Në të kaluarën ekipi e kishte gjysmën e lojtarëve mbi 30 vjeç, si Soma, Boshkoviç, Heikinen, Katzer. Ata ishin mirë edhe për ne të rinjtë, sepse mësonim shumë prej tyre.

Kishim sukses, ndërsa tani është e vështirë të gjesh lojtarë më të mëdhenj se 25 vjeç.

Shumë klube kanë bërë biznes me sportin, me shitjen dhe blerjen e lojtarëve, ku mosha luan një rol të madh në transferimet që bëhen, pavarësisht sa i aftë është një futbollist. /Vipsport/