Luan dhe jeton në Austri por Hamdi Salihi kurrsesi nuk mund të qëndrojë për asnjë moment larg Shqipërisë dhe Shkodrës.

Sa herë që i jepet mundësia, vjen t’i vizitojë ato, sa herë që i kërkohet ndonjë intervistë është i gatshëm të flasë rreth tyre.

Kështu ka bërë edhe sot, teksa në një prononcim për “telesport” ka folur për shumë gjëra rreth futbollit shqiptar, por natyrisht edhe për Vllazninë.

I pyetur nëse ka një mesazh për të, ai është përgjigjur: “Vështirë të flas për Vllazninë në këtë moment, por me njerëzit që kam pasur kontakte, kam biseduar për faktin se ajo që ka ndodhur iku tashmë dhe nuk kthehemi dot mbrapa.

Por duhet të marrin masat që të organizohen. Futbolli është i tillë që kur ti mendon se ke prekur fundin, ka gjithmonë edhe më keq. Duhet ta ndalin këtu dhe të jetë prekur me kaq fundi, për t’u ringjitur tashmë”.

Ndërkohë kur i është kërkuar një mendim se si mund të dilet nga kjo situatë, Salihi është përgjigjur: “Siç e thashë, duhet organizim sa më i mirë, të hidhen pas krahëve ato që kanë ndodhur dhe të mendohet për rikthimin.

Koha ka treguar që edhe klube me më shumë histori, në botë, kanë humbur fare dhe kanë shkuar madje drejt falimentimit. Nuk zgjidhen gjërat vetëm me fanellë dhe histori, por me punë”.
© shkodrasport.com