“Çfarë ka parë VAR-i?”. Kjo është një pyetje që tifozët në stadiumet angleze e bëjnë shpesh, duke mbetur ndonjëherë me dyshimin për atë që kanë parë arbitrat edhe pasi merret një vendim. Në gjysmëfinalet e Carabao Cup, duke filluar nga ndeshjet e para më 7 dhe 8 janar, vetë arbitrat do ta shpjegojnë atë: për herë të parë në Angli, pas marrjes së një vendimi, ata do ta njoftojnë publikun përmes altoparlantëve të stadiumit.


Si funksionon

Kjo është një provë, e miratuar nga FIFA, që sjell në futbollin anglez skena të ngjashme me ato në NFL (ku arbitrat shpjegojnë para dhe pas vendimet që janë kontestuar dhe rishikuar) dhe në Kupën e Botës për femra 2023, ku u prezantua gjithashtu në mënyrë eksperimentale.

Në ndeshjet Arsenal-Newcastle dhe Tottenham-Liverpool, të dyja gjysmëfinalet, kur arbitrat të rishikojnë një aksion në monitorin e VAR-it, ose kur të përfundojë rishikimi i incidenteve si pozita jashtë loje apo prekje me dorë, arbitri do të aktivizojë mikrofonin dhe përmes altoparlantit do t’u shpjegojë spektatorëve të pranishëm se çfarë ka ndodhur. Ky shpjegim do të bëhet vetëm pasi të merret vendimi, jo më parë, siç ndodh në NFL dhe NBA prej vitesh. Gjithsesi, ky është një hap historik për futbollin anglez, një risi edhe pse ende eksperimentale.


Drejt transparencës

Vendimi për të provuar njoftimet publike nga arbitrat është një hap tjetër drejt transparencës, për të cilën PGMOL (organi që rregullon arbitrat e Premier League dhe futbollit profesionist anglez) është angazhuar prej kohësh. Që nga ky vit, ekziston një profil në rrjetin X që shpjegon në kohë pothuajse reale rishikimet e VAR-it, me verdiktin e shfaqur disa minuta më pas edhe në ekranin gjigant të stadiumit. Me këtë eksperiment, shkohet edhe më tej: tani do të jenë vetë arbitrat që do të shpjegojnë, përpara se loja të rifillojë, pse një gol i dyshimtë është anuluar apo aprovuar, çfarë kanë parë në monitor, dhe cili lojtar ishte në pozicion jashtë loje.

Kjo qasje ndoshta nuk do të zgjidhë të gjitha pakënaqësitë e tifozëve anglezë ndaj VAR-it, të cilin shumë e konsiderojnë si problemin kryesor të futbollit, por sigurisht do të ndihmojë në shpjegimin e logjikës që qëndron pas disa vendimeve, që shpesh mbeten të paqarta për tifozët në stadium. Tani çdo vendim i marrë në monitor do të shoqërohet me një shpjegim zyrtar, duke u mundësuar arbitrave të bëjnë zërin e tyre të dëgjohet qartë dhe menjëherë.


Një hap përpara për futbollin

Katër ndeshje (për momentin, nuk përjashtohet që i njëjti sistem të përdoret edhe në finalen e Carabao Cup, në Wembley, më 16 mars) përbëjnë një eksperiment të vogël, por ideja që qëndron pas tij është një hap epokal për futbollin në përgjithësi, jo vetëm për atë anglez.

Edhe pse statistikat tregojnë se përdorimi i VAR-it ka reduktuar ndjeshëm gabimet dhe se kohëzgjatja e pritjes për një vendim është bërë më e pranueshme (36 sekonda për ndeshje në 11 javët e para të Premier League 2024-25 kundrejt 64 sekondave të sezonit të kaluar), teknologjia mbetet një mister për shumicën e tifozëve, veçanërisht për ata në stadium që nuk kanë përfitimin e komentit televiziv.

Futbolli mund të përdorë këtë eksperiment të vogël për të kuptuar nëse rruga e arbitrave që flasin është e duhura: në NFL dhe NBA, dy liga me ndikim mediatik të ngjashëm me Premier League, kjo zgjedhje funksionon mirë, me arbitrat që shpjegojnë qartë për të gjithë (tifozët në stadium dhe në TV) çfarë është vendosur dhe pse. Në basketboll dhe futbollin amerikan, askush nuk dyshon që teknologjia është një ndihmë dhe jo një problem.