Më në fund zgjidhet edhe ngërçi që mbante peng përfundimin e rikonstruksionit të stadiumit të qytetit të Kukësit. Punimet ishin ndërprerë prej disa muajsh pasi për të vërë modifikimet e fundit duhej lëvruar një fond i caktuar nga qeveria shqiptare për ndryshimet që u bënë në projektin fillestar të rikonstruksionit.

Vendimi për lëvrimin e fondeve ka ardhur sot ndaj pritet që të rifillojë punimet për të mbyllur brenda 2-3 muajsh këtë impiant e për të bërë të mundur që skuadra verilindore të kthehet pas tre vitesh në shtëpinë e vet e t’i japë fund eksodit disavjeçar e shtegtimit sa në një impiant në tjetrin.

Financimin e projektit “rikonstruksioni i stadiumit të futbollit “Zeqir Ymeri”, Kukës”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, pika 2, dhe 31, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, të ndryshuar, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Financimin, në masën 293000000 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë) lekë, nga fondet e buxhetit të shtetit, për përfundimin e projektit “Rikonstruksioni i stadiumit të futbollit “Zeqir Ymeri”, Kukës”.

Fondi i miratuar, në masën 293 000 000 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë) lekë nga fondet e buxhetit të shtetit transferohet nga llogaria ekonomike 231, programi buxhetor 08140 “Sporti dhe rinia”.

Fondi transferohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë te bashkëfinancuesi i projektit, Federata Shqiptare e Futbollit, në llogari të saj, në një bankë të nivelit të dytë.

Fondi prej 293 000 000 (dyqind e nëntëdhjetë e tre milionë) lekësh, për financimin e përfundimit të projektit “Rikonstruksioni i stadiumit të futbollit “Zeqir Ymeri”, Kukës”, përballohet nga fondet e miratuara me ligjin nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë monitoron mbarëvajtjen e punimeve në këtë objekt, nëpërmjet një grupi pune me ekspertë, përfaqësues nga Bashkia Kukës, Federata Shqiptare e Futbollit dhe kompania projektuese.

Përbërja dhe detyrat e grupit të punës, si dhe procedura për transferimin kapital të objektit nga Federata Shqiptare e Futbollit te pronari i objektit, Bashkia Kukës, pas përfundimit të investimit, përcaktohen me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kukës dhe Federata Shqiptare e Futbollit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.