Në sezonin 2020-2021 ka qenë pjesë e Vllaznisë me Tomas Brdariç, ku shkodranët i shkuan shumë afër titullit. Fjala është për Haris Dilaver, sulmuesin nga Bosnja, i cili atë sezon shënoi 11 herë për shkodranët.

Në një intervistë për “Panorama Sport” ai flet për kuqeblutë, ndeshjen e radhës kundër Partizanit, kundërshtar që thekson se e kishte “qejf” dhe dëshirën për t’i parë shkodranët kampionë në këtë sezon.

Haris, sa keni pasur mundësi ta ndiqni kampionatin shqiptar?

Kam parë pak ndeshje të jem i sinqertë, disa nga ndeshjet e rëndësishme. Por informacionet nuk më mungojnë, sepse kam miq në Shqipëri dhe flasim shpesh për futbollin. Nga ajo çfarë kam parë vë re që janë pothuajse të njëjtat ekipe që u paraqitën mirë sezonin e shkuar, protagoniste edhe këtë edicion.


Në Shqipëri ju jeni aktivizuar me Vllazninë. Ju bindin shkodranët?

Skuadra ka pasur disa luhatje në javët e fundit. E nisën disi ngadalë, por pastaj rritën ritmin dhe arritën të bënin futboll shumë të mirë. Nga informacionet që kam pasur dhe ajo çfarë kam lexuar nëpër rrjete sociale, Vllaznia ka pasur shumë mungesa dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja e këtyre rezultateve të fundit.


Është kthyer sërish Brdariç, kujtime të bukura me të, apo jo?

Po, e di. Me Brdariç besoj se në atë sezon ne arritëm gjëra të shkëlqyera. Bëmë futbollin më të bukur në kampionat, ndoshta që kishte vite që nuk zhvillohej në Shqipëri. Po ashtu kthyem në Shkodër, Kupën e Shqipërisë. Ekipi kishte 13 vite që nuk fitonte një trofe. Ajo skuadër duhej të kishte arritur më tepër.


Çfarë doni të thoni me më tepër?

Ajo skuadër duhej të ishte kampion, ne dominuam nga fillimi në fund thuajse. Zhvilluam futbollin më të mirë dhe të bukur, prandaj besoj se e meritonim ta fitonim titullin kampion. Është si një “peng” i ngelur nga ajo periudhë në Shkodër dhe Shqipëri.


Mund të jetë ky sezoni i duhur për titullin te Vlaznia?

Uroj dhe shpresoj që të jetë kështu! Kthimi i Brdariç më mbush me optimizëm. Ai është një trajner që e di çfarë bën dhe ndoshta kësaj radhe do të jetë momenti i duhur. Unë bëj tifo për Vllazninë që të fitojë kampionatin. Po ashtu tifozët e mrekullueshëm që ka në Shkodër, nga të cilët kam kujtime fantastike dhe shpresoj të gëzohen në fund.

Ndeshja e radhës kundër Partizanit, si e parashikoni?

Partizani është një ekip që më pëlqen, sepse i shënoja (qesh). Do të jetë një ndeshje e fortë mes dy skuadrave historike të futbollit shqiptar. Në sezonin kur unë isha te Vllaznia nuk na mposhtën asnjëherë në 4 ndeshje. Uroj që Vllaznia t’ia dalë edhe kësaj radhe dhe para tifozerisë së saj të marrë fitore kundër ekipit të Partizanit.