Me humbjen dje ndaj Ilirisë, Vllaznia tregoi se nuk është e pathyeshme. Për më tepër në fusha të tilla ku nuk mund të luash futboll ashtu si duhet. Dhe të mos harrojmë se kampionati sapo ka filluar sepse në fazën e dytë gara pritet të ashpërsohet edhe më shumë.

Megjithatë trajneri i Vllaznisë Hasan Lika kërkon që humbja ndaj Ilirisë të mos bëhet dramë: “Kemi zhvilluar një fazë në ngritje dhe kjo nuk është një ndeshje që na ndikon negativisht. Duhet të jemi të kujdesshëm për ta menaxhuar siç duhet në vazhdim”. Kjo është e drejtë në fakt.

Deri në fund të fazës së dytë janë edhe nëntë ndeshje të tjera për t’u luajtur dhe një tjetër mundësi për ta thelluar përsëri diferencën me ndjekësit. Sfida me Ilirinë vërtetë mund të mos jetë një dramë por gjithsesi është një tregues i një gare që sa vjen e ashpërsohet.

Dje shkodranët pretenduan për një 11-metërsh të padhënë në rastin e pengimit në zonë të kapitenit Lika. Të tilla raste mund të përsëriten edhe në ndeshjet e ardhshme, ashtu si dhe rritja e lojës së ashpër të kundërshtarëve. dhe e presionit të tifozëve. Prandaj Vllaznia duhet t’i bëjë llogaritë ndryshe për vazhdimin e kampionatit.
© shkodrasport.com