Vllaznia zgjedh Hasan Likën si trajnerin e ri që do ta drejtojë në sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.

Në një intervistë për gazetën “Panorama Sport”, tekniku i ri i kuqebluve flet për planet, takimin me kryebashkiaken Voltana Ademi dhe objektivin që ka skuadra për t’u rikthyer në Superiore. Tashmë është zyrtare dhe ju jeni trajneri i ri i Vllaznisë.

Si ndihet Hasan Lika, ndërsa kjo çështje u zgjat disi?

Pritej që të zyrtarizohej kjo çështje dhe ashtu ndodhi. Pak me vonesë, pasi koha që do të kemi në dispozicion është paksa e shkurtër, por shpresoj se do të bëjmë më të mirën.

E njihni skuadrën dhe lojtarët që do të keni në dispozicion?

Lojtarët që kanë qenë pjesë e Vllaznisë në kampionatin e kaluar sigurisht që i njoh. Mund të ketë ndryshime dhe largime, por do të preferoja që skuadra të qëndronte ashtu siç ishte.

Por, kjo është një çështje që nuk varet nga unë, pasi do të shohim se si i kanë kontratat lojtarët.