Faza e dytë e kampionatit të kategorisë së parë nis nesër dhe java e parë ka rezervuar sfidën Korabi- Vllaznia. Një ndeshje e vështirë megjithatë në kampin kuqeblu gjërat kanë shkuar mirë dhe vërehet optimizëm për ta kaluar me sukses edhe këtë sfidë.

Trajneri Lika në prononcimin e tij para ndeshjes, ka shprehur bindjen se jo vetëm në këtë takim por edhe në vazhdim, Vllaznia do të tregojë vlerat e veta dhe do të arrijë objektivin që ka. Ja intervista e plotë e dhënë sot:

-Profesor, ka përfunduar tashmë faza e parë e kampionatit. I kënaqur me atë çfarë dhuroi Vllaznia?
-Sigurisht që ne gjithmonë presim akoma edhe më shumë. Gjithmonë tentojmë të marrim më të mirën dhe besoj se ashtu si rrodhën ngjarjet, natyrshëm mund të jemi deri diku të kënaqur. Jemi në një pozitë që dëshironim të gjithë të ishim.

-5 pikë distancë me ndjekësin më të afërt. Një kuotë e pranushme pikësh, nisur edhe nga problematika që pati Vllaznia në fillim të sezonit?
-Problematikë në fakt kemi patur edhe ne por kanë patur edhe kundërshtarët, por gjithsesi ne shohim problematikat tona. E rëndësishme është se skuadra ka ardhur gjithmonë në rritje, si në aspektin e përgatitjes së ekipit, ashtu edhe në nivelin individual të sportistëve që kanë patur probleme. Besoj se tashmë kemi ardhur në një moment që të japim maksimumin në fushën e lojës. Atë çfarë kemi përgatitur në stërvitje, ka ardhur koha të korrim rezultatet e duhura.

-Cilat janë pritshmëritë tuaja për fazën e dytë?
-Pritshmëria është që ne të shkojmë në çdo ndeshje për të fituar sepse i kemi mundësitë, pavarësisht se jemi të ndërgjegjshëm që edhe kundërshtarët kanë skuadra të mira, skuadra të organizuara të cilat luftojnë, japin maksimumin në fushën e lojës dhe vështirësitë ne i kemi ndjerë. Ne themi që do kërkojmë të fitojmë çdo ndeshje.

-Përballja e parë e kësaj faze është me Korabin në Peshkopi. Një sfidë e vështirë?
-Padyshim që po. Ndaj Korabit në fazën e parë kemi luajtur në Shkodër dhe kemi fituar, por kemi patur edhe vështirësi sepse për një moment na barazoi. Kuptohet që këtë herë në fushën e tyre edhe ata do të kërkojnë të marrin maksimumin, kështu që e ndjejmë vështirësinë që na pret. Besoj se edhe djemtë e kanë kuptuar se çdo ndeshje ka vështirësitë e veta, pavarësisht se je një kategori më lart apo një kategori më poshtë.

-Në dy ndeshjet e fundit në transfertë Vllaznia ka shfaqur probleme, si në Shënkoll ashtu edhe në Fushë- Krujë. Do korigjojë diçka skuadra në këtë transfertë të rradhës?
-Në ato dy ndeshje kemi patur probleme në aspektin e shënimit të golit. Në ndeshjet me Ilirinë kundërshtari na befasoi me një nga kundërsulmet e tij të rradhës, gjithsesi ne nuk arritëm dot të shënojmë. Krijuam raste, krijuam mundësi, por nuk shënuam dot. Kjo është një e metë që ne duhet ta korigjojmë.

-Për nesër ndoshta formacioni është më i plotë se herët e tjera, diçka pozitive për ju si trajner?
-Po deri diku është më i plotë, të shohim tani, Dy javët e fundit ekipi është përgatitur mirë, ka dhënë maksimumin në stërvitje dhe janë përgatitur si duhet për ndeshjen e nesërme dhe në vazhdim.

-Presim një fitore të Vllaznisë ndaj Korabit?
-Shpresojmë të japim maksimumin në fushën e lojës dhe pse jo, pse mos ta fitojmë ndeshjen.

© shkodrasport.com