Trajneri i Vllaznisë, Hasan Lika, pas fitores me Kamzën, ka theksuar se skuadra e tij u shpërblye për atë që dha në fushë gjatë kësaj ndeshjeje.

Patëm dëshirë në këtë ndeshje, por dëshirë të kontrolluar. Mendoj se ekipi u shpërblye për djersën që derdhi në fushë me këtë përmbysje.

Na ka munguar fusha në këtë periudhë, sepse kushtet kanë qenë të tilla. Autet e Gurishtës? E kemi përdorur në kampionat, pasi ai është një lojtar që e bën mirë këtë gjë.

Goditjet standarde sjellin gola dhe duam t’i shfrytëzojmë. Fusha? Si për ne, si për Kamzën, sjell vështirësi, por e rëndësishme është që zhvillojmë ndeshje të mira, pasi shumica e skuadrave stërviten në terrene me bar artificial.

Çdo skuadër ka nevojë për përforcime. Ne kemi marrë Krujën, një futbollist shkodran, i cili luajti një pjesë të dytë shumë të mirë.

Në Kategorinë e Parë ka skuadra shumë të mira, të forta edhe për ne. Sot bëmë një ndeshje të mirë dhe rezultati na jep shpresë, por kualifikimi vendoset në Kamzë. Kupa nuk është në objektin tonë, por duam të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion.

Te Vllaznia nuk ka probleme financiare dhe ne duam ta kthejmë Vllazninë në elitë. Ju e dini çfarë është futbolli pë shkodranët”, – ka thënë trajneri Lika. / Vipsport/