Kur pritej që Ervis Kraja të emërohej në postin e trajnerit të ardhshëm të Vllaznisë, gjërat kanë marrë rrjedhë tjetër. Në shtypin e shkruar sportiv të sotëm është shkruar për mundësinë e uljes së trajnerit kryeqytetas Hasan Lika në pankinën kuqeblu.
Sipas asaj çfarë është shkruar, administratori I ardhshëm I Vllaznisë Suad Lika mësohet të ketë kontaktuar me trajnerin e njohur dhe pritet një akord me të. Një lëvizje kjo disi e papritur megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare në këtë mes.
Ervis Kraja ka pretenduar se ka bërë gati projektin për ndërtimin e skuadrës dhe po ashtu edhe Edi Martini ka shpresuar në emërimin në këtë detyrë. Por nga sa shihet, as njëra dhe as tjetra alternativë nuk do të merret në konsideratë.
Gjithsesi, burime pranë klubit Vllaznia bëjnë të ditur se nuk përjashtohet mundësia që Hasan Lika të vijë për postin e drejtorit sportiv meqe edhe ky post eshte i lirshem.
Ai deri para një muaji ka qenë në krye të Luftëtarit të Gjirokastrës me të cilin zuri vendin e tretë dhe siguroi daljen në Kupat e Europës.
Megjithatë drejtuesit atje vendosën të mos rinovojnë më me këtë trajner. Lika ka punuar me shumë ekipe në Shqipëri dhe ndër to ka qenë edhe Vllaznia të cilën e ka drejtuar vetëm për pak muaj 10 vjet më parë.
Tashmë duhet pritur nëse ka vërtetë diçka në këtë mes me këtë trajner apo ka qenë thjesht një thashethem merkatoje.E gjithë kjo situatë padiskutim që do të marrë përgjigje brenda pak ditësh. Mbase duke filluar nga nesër, në klubin e futbollit Vllaznia do të ketë zhvillime të reja.
Normale kjo gjë sepse ditët kalojnë dhe ekipet e tij duhet të nisin nga puna. Sigurisht që emrat janë shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e saj por në këto momente, më shumë se çdo gjë tjetër ka rëndësi që ekipi të formatohet dhe të nisë stërvitjen.
www.shkodrasport.com