Goli i Edon Hasanit u shpall si më i miri i muajit dhjetor nga fansat e Telesportit. Rrjeta e shkodranit në takimin kundër Flamurtarit për fitoren 1-0 ishte një perlë e vërtetë. Qetësi, teknikë dhe forcë, mesfushori është rikthyer në formën e tij më të mirë te kryeqytetasit, pas aventurës së kaluar te Sepahani në Iran. 25-vjeçari ka luajtur 17 ndeshje, 15 si titullar dhe ka shënuar 5 gola duke barazuar rekordin e tij personal të golave në një vit. Shkodrani është golashënuesi më i mirë i kreyqytetasve. Në një intervistë për Telesport, ai tregon momentin që po kalon te 24 herë kampionët e vendit.
– Edon, a ndjeheni i vlerësuar duke qenë se goli juaj u zgjedh më i bukuri i muajit?
– Sigurisht. Goli të motivon shumë si në aspektin personal ashtu dhe atë kolektiv. Goli kishten vlerën e 3 pikë dhe i shënuar në minutat e fundit, pas atyre rasteve të humbura, i jep akoma më tepër rëndësi. Shpresoj të marr dhe lojtarin e muajit tani (Qesh).
– Si po ndiheni te Tirana?
– Tirana është Tirana. Klub legjendë me shumë tituj të fituar, por mungesa e një titulli vitet e fundit e ka shtuar presionin. Ishte një hap i madh të nënshkruaja me Tiranën, jam ndjerë i mirëpritur dhe i motivuar për të dhënë sa më shumë nga vetja. Më vjen keq që nuk po e gëzojmë si duhet këtë klub të madh, por me shpresën që do e bëjmë në të ardhmen.
– A keni gjetur atë ambient që keni pretenduar?
– Jam ndjerë shumë mirë dhe jam ambientuar shumë shpejt. Te Tirana nuk të pret dot njeri, por duhet të shtrëngosh dhëmbët për të dhënë më të mirën për fanellën.
– Çfarë ka shkuar keq në këtë fillim sezoni?
– Për fat të keq kemi vuajtur nga gabime individuale, gabime që na kanë kushtuar. Gjëra të tilla ndodhin në futboll. Kur flas për gabime, them dhe rastet e humbura para portës, pavarësisht se jemi ndër 3 skuadrat që kemi shënuar më shumë. Bashkë me trajnerin jemi munduar që t’i gjejmë dhe të mos i përsërisim problemet.
– Ku mendoni se do të përfundoni në fund të sezonit?
– Me punën që po bëjmë dhe me pak fat shpresojmë që minimalisht të kapim Kupat e Europës, pasi nuk e meritojmë aspak pozicionin që kemi. Tifozët tanë e kanë parë që 90% të ndeshjeve i kemi dominuar, por dhe fati na ka ndëshkuar. Duhet të jemi më të qetë dhe më të përqëndruar në vazhdim.
– Ku ndryshon trajneri Mema me brazilianin Ze Maria?
– Nuk është mirë që të flasim për trajnerë. Janë dy karaktere të ndryshme. Ze Maria ishte tepër autoritar, ndërsa Mema i merr të gjitha përgjegjësitë vetë për të na mbajtur sa më larg trysnisë së rezultateve. Një arsye që duhet të kthejmë situatën është dhe për trajnerin, i cili ka lidhje të madhe me këtë klub e me këtë fanellë.
– A do të kemi ndonjë surprizë në merkato?
– Kam nënshkruar një kontratë me Tiranën dhe kam dëshira ta respektoj deri në fund. Nëse do të ketë ndonjë lëvizje, besoj që do të kemë mirëkuptimin e presidentit për një të mirë të përbashkët. Aktualisht nuk mendoj asgjë në këtë aspekt./telesport/