Një legjendë si Havier Zaneti e di shumë mirë çfarë do të thotë të fitosh trofe në futboll, por di gjithashtu çfarë do të thotë dështimi. Në jetën e tij ka pasur shumë ulje ngritje dhe e di mirë rrugën si shkohet drejt triumfit.

“Që kur nisi ky sezon, ne po mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Është e vërtetë që kemi një distancë të madhe në krahasim me të tjerët, por na intereson vetëm ndeshja me Bolonjën. Nuk duhet të fshihemi, viti që po kalojmë është shumë pozitiv. Puna e Inzagit dhe e djemve është e kënaqshme. Kjo punë nuk ka filluar sot, por ka disa vite.

Kemi krijuar një grup shumë të bukur dhe Interi është kompetitiv në të gjitha frontet. Shpresoj që ta mbyllim sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Zaneti. Kjo është intervista e plotë e ishkapitenit që e krahason këtë skuadër edhe me atë të vitit 2010.

INZAGI- “Ai ka thënë se ndihet shumë mirë në familjen tonë. Kemi një grup shumë pozitiv mes drejtuesve, stafit, lojtarëve dhe tifozëve. Ka empati dhe kulturë pune. Jemi duke programuar gjithçka dhe kemi strategji. Që nga momenti që e krijuam kë të grup, duhet thjesht të kemi vazhdimësi dhe rezultatet po vijnë”.

LAUTARO- “Jam shumë i lumtur për të. Kur e transferuam në Milano, shpresonim që ta shihnim në nivele të tilla. Ka shumë dëshirë që të jetë pjesë e kësaj skuadre dhe është pikë referimi për të gjithë. Është kapiteni ynë dhe tregon se sa e do skuadrën.

RINOVIMI- “Jam i qetë për rinovimin e tij sepse është shumë i lumtur këtu. Jemi duke punuar me menaxherin e tij dhe kemi besim që do të gjejmë gjuhën e përbashkët. Edhe ai ka thënë që duhet thjesht të jemi të qetë sepse dëshira është që të vazhdojë të qëndrojë këtu në Milano. Shpresoj që të ndodhë kështu”.

ATLETIKO- “Nuk kam folur me Simeonen gjatë kësaj kohe. Duke e njohur atë, na pret një ndeshje ashtu si e para. Është një rival i fortë dhe nuk do të jetë aspak e lehtë. Ne mund të rivalizojmë me ta dhe shpresoj që të marrim me vete kualifikimin në Milano”.

TITULLI NË DERBI- “Nuk bëjmë llogari. Mendojmë vetëm për Bolonjën. Shpresojmë që të vijë sa më shpejt momenti për festën e titullit. Nuk mendojmë se kur do ta fitojmë sepse është më mirë të shohim rrugëtimin tonë”.

INTERI I TRIPLETËS- “Shumë e vështirë që të bësh krahasime mes skuadrave. Është e sigurt që ky Inter po argëtohet dhe shihet që lojtarët janë mirë me njëri-tjetrin. Është kënaqësi t’i shohësh këta lojtarë si tifoz në radhë të parë dhe si zëvendëspresident. Shoh një Inter shumë të fortë si ai i tripletës”.