Me një skuadër më të plotë nga sa mendohej, Vllaznia do të kërkojë marrjen e fitores në ndeshjen e së dielës me Laçin. Kështu ka deklaruar trajneri I saj Dervish Haxhiosmanoviç pas stërvitjes së sotme, e cila ka qenë e fundit në këtë pragndeshje dhe para nisjes për në Shëngjin, ku kuqeblutë do kalojnë natën. “Deda” është I sigurtë në objektivin e tij dhe këtë e thotë edhe para mikrofonëve të gazetarëve.

“Objektivi jonë është i qartë, do të kërkojmë fitoren në Laç. Kjo është ndeshja ime e parë dhe kuptohet që kam edhe më shumë dëshirë për ta marrë këtë rezultat por më së shumti për ekipin. Do të luajë Vujadinoviç e po ashtu edhe Bushiç. Do luajmë fort dhe të jeni të bindur se do të kërkojmë deri në fund marrjen e një rezultati pozitiv” – ka thënë ai.I pyetur se çfarë do të ndryshojë për këtë ndeshje në mënyrë që skuadra të kërkojë fitoren, Haxhiosmanoviç është shprehur se do shohë deri në fund edhe gjendjen shëndetësore të 2-3 futbollistëve që kanë probleme me dëmtimet dhe më pas do vendos për formacionin dhe mënyrën e të luajturit ndaj laçianëve. “Ende nuk e kam vendosur se me çfarë formacioni dhe me çfarë skeme do luajmë. Por kjo nuk e ndryshon objektivin tonë për ta fituar ndeshjen. Kemi gjithsesi edhe 8 sfida të tjera deri në fund dhe ne duhet të bëjmë çmos për të grumbulluar sa më shumë pikë që të shpëtojmë”- ka thënë ai.Ndeshja Laçi- Vllaznia do të luhet të dielën në orën 14.00 në stadiumin e qytetit të Laçit dhe për këtë takim në portë për kqueblutë rikthehet Vujadinoviç ndërkohë që I sigurtë për të luajtur është edhe Bushiç. Këto janë dy pluse për këtë skuadër megjithatë mungojnë Vukçeviç, Bardulla e Dibra për shkak dëmtimi.

Gjergj KOLA