Vllaznia nuk e ka luksin të nënvlerësojë asnjë kundërshtar. Për të nuk ka ndeshje të lehta dhe të vështira. Çdo takim duhet vlerësuar në maksimum dhe prandaj edhe në ndeshjen e nesërme me Kastriotin, objektivi I saj duhet të jetë vetëm fitorja. Kështu, ka deklaruar trajneri I skuadrës shkodrane Dervish Haxhiosmanoviç në një intervistë për gazetën tonë një ditë para kësaj ndeshje.

“Ne e vlerësojmë kundërshtarin si shumë serioz pavarësisht se nuk ka shumë motiv për të luajtur. Megjithatë jemi impenjuar maksimalisht për ta fituar këtë ndeshje. Kampionati ka hyrë në një rrugë ku nuk lejohen gabimet dhe sidomos në Krujë nuk duhet bërë ndonjë hap i gabuar”- ka thënë ai.Neser në Krujë do të luhet ndaj Kastriotit vendas që thuajse është I rënë nga kategoria por Haxhiosmanoviç nuk mendon kështu. Ai vlerëson së tepërmi kundërshtarin edhe për përbërjen që ka në rradhët e tij. “Kastrioti ka një grup lojtarësh shumë të mirë në rradhët e tij dhe për këtë e vlerësojmë maksimalisht. Megjithatë ne kemi më shumë motiv dhe dëshirë besoj për ta fituar këtë ndeshje dhe këtë duhet ta shprehim edhe në fushën e lojës”-ka thënë “Deda”.Me një fitore të mundshme në Krujë, Vllaznia do ta priste më e qetë ndeshjen e ardhshme me Tiranën. Në rast të kundërt gjërat do komplikoheshin së tepërmi dhe prandaj kuqeblutë duhet të bëjnë shumë kujdes në këtë takim, për të marrë me çdo kusht fitoren.
Gjergj KOLA