Eden Hazard është një nga futbollistët më të mirë në botë dhe prej vitesh, konsiderohet si lojtari më i mirë në Premier Ligë. Ylli belg e ka shprehur disa herë publikisht se ëndrra e tij është të luajë me Realin e Madridit, por dje tha se dëshiron të bëhet një legjendë e klubit të Çelsit.
“Dua të ndjek gjurmët e Xhon Territ, Frenk Lampard dhe Didier Drogba. Jam i bindur se çfarë dua: Të bëhem legjendë e këtij klubi të madh”. Pas kësaj deklarate, mendohej se Hazard do të qëndronte përgjithmonë te Blutë, por sot ka pasur zhvillime të reja.
Ylli belg ka refuzuar dhe njëherë tjetër rinovimin e kontratës dhe sipas disa burimeve brenda klubit londinez, belgu është në pritje të një telefonate nga Reali i Madridit.
Këto zëra kanë acaruar jo pak tifozët e Çelsit, që duken të lodhur nga pasiguria e belgut. Shumë komente në faqet zyrtare të Hazard i kanë kërkuar 27-vjeçarit të largohet, pasi skuadra nuk ka nevojë për lojtarë të tillë./vipsport/