Në fillim të këtij sezoni,u bë shumë zhurmë në lidhje me largimet e dy futbollistëve të rinj nga Vllaznia, pikërisht Rubin Hebaj dhe Uendi Vecaj. Ata u transferuan në Slloveni dhe Kroaci tek ekipet Domzhale dhe Dinamo Zagreb. Në pamje të parë, u konsiderua një humbje e madhe sepse kishim të bënim me dy lojtarë të rinj të talentuar dhe premtues dhe nuk ishte gjë e vogël që Vllaznia të humbte shërbimet e tyre. Por në fakt, të dy ata futbollistë, ndonëse me të dhëna shumë të mira, në gjysmën e parë të sezonit e kanë patur shumë të vështirë të depërtojnë në ekipet e tyre të reja.
Kanë qenë zëvendësues dhe janë aktivizuar shumë pak. Hebaj disi më shumë, madje ka shënuar edhe dy gola por sërish nuk ka merituar ndoshta atë që i takon. Jo më kot, edhe website “transfermarkt” e vlerëson aktualisht me 250 mijë euro në tregun e futbollistëve. Shumë më pak vlerësohet Vecaj, vetëm 100 mijë euro. Kjo vjen padyshim nga mosaktivizimi. Dhe shembulli më i mirë për këtë është krahasimi me Ardit Krymin, mesfushorin shkodran që ndonëse ka patur oferta, vazhdon të jetë pjesë e Vllaznisë. Duke qenë një titullar i padiskutueshëm i kuqebluve ai vlerësohet me një vlerë tregu prej 375 mijë eurosh. Më shumë se Hebaj e Vecaj sëbashku. Të ndjekim më poshtë aktivizimin e Rubin Hebajt dhe Uendi Vecajt me ekipet e tyre aktuale:
Rubin Hebaj ka luajtur gjithsej në 10 ndeshje në kampionat, në të cilat ka hyrë gjithmonë si zëvendësues, me një total prej 257 minutash aktivizim. Ndërkohë, ka arritur të shënojë edhe dy gola, pikërisht në ndeshjet ndaj NK Krsko dhe Nk Triglav. Në katër ndeshje të tjera ka qenë në pankinë por nuk është aktivizuar për asnjë minutë ndërsa në katër të tjera nuk ka qenë as në 18-she. Ndërkohë ka luajtur edhe në një ndeshje kupe, atë ndaj NS Mura ku ka shënuar një gol dhe në këtë ndeshje ka qenë titullar.
Megjithatë, duke mos e konsideruar një lojtar “të dorës së parë”, “transfermarkt” e ka vlerësuar me një vlerë tregu prej 250 mijë eurosh.
Uendi Vecaj ndërkohë me ekipin e dytë të Dinamos së Zagrebit, nuk ka luajtur asnjëherë titullar por ka qenë në fushë vetëm në tre ndeshje si zëvendësues me një total prej 31 minutash aktivizim. Po ashtu, ka qenë edhe tre herë të tjerë në pankinë por nuk ka luajtur. Për rrjedhojë, “transfermarkt” e vlerëson atë me një vlerë prej 100 mijë eurosh në tregun e futbollistëve.
© shkodrasport.com