Dy futbollistë të talentuar shkodranë u larguan me shumë bujë nga Vllaznia një sezon më parë duke shpresuar për një të ardhme më të suksesshme jashtë vendit. Rubin Hebaj firmosi për sllovenët e Domzhales ndërsa Uendi Vecaj për Dinamon e Zagrebit.

Të dy ata në sezonin e tyre të parë jashtë vendit nuk realizuan pritshmëritë që kishin. Hebaj disi më mirë, luajti disa ndeshje dhe shënoi edhe gola por asnjëherë I kënaqur me hapësirën që I jepte trajneri.

Po ashtu, Vecaj tek ekipi I dytë I klubit të mirënjohur kroat, luajti shumë pak. Dhe kuptohet, për një 19 dhe 20 vjeçar të qëndruarit në stol nuk është diçka e mirë. Ata e kanë kuptuar këtë gjë dhe për të gjetur më shumë hapësirë, kanë vendosur të rikthehen në Shqipëri.

Por këtë herë jo tek Vllaznia. Sulmuesi Hebaj është shumë pranë një marrëveshje me ekipin e Partizanit dhe pritet që gjatë këtyre ditëve të firmosë me ta.

Të kuqtë kanë probleme në sulm dhe për këtë arsye, kanë menduar si zgjidhje të duhur shkodranin 19 vjeçar që do të vijë si I huazuar nga Domzhale. E njëjta situatë edhe për Vecajn I cili do t’I bashkohet Teutës.

Kuptohet që do të jetë koha ajo që do ta vërtetojë nëse kanë vepruar drejt apo jo por një zgjedhje mund të kishte qenë edhe rikthimi për të luajtur një sezon sërish me Vllazninë.

Gjithsesi kjo është zgjedhja e tyre dhe kuptohet që pas hapit të parë jopozitiv që bënë me transferimin jashtë vendit ende pa u formuar plotësisht, duan të mos bëjnë edhe një hap të dytë të gabuar sepse kjo mund t’u kushtojë shumë për karrierën e tyre.

Janë ende shumë të rinj në moshë dhe natyrisht që duhet të spikasin me paraqitjet e tyre. Gjithnjë nëse duan të kthehen sërish andej nga erdhën.
www.shkodrasport.com