Sulmuesi Rubin Hebaj i ka dhënë fund eksperiencës me Teutën duke ndërprerë me marrëveshje bashkëpunimin mes palëve. Një largim që është parë i arsyeshëm për të mirën e të dyja palëve, futbollistit dhe Teutës, që e ndërpresin para kohe kontratën.

22-vjeçari shkodran iu bashkua Teutës në janarin e 2020-ës dhe gjatë një viti numëron 34 ndeshje me fanellën e klubit durrsak, por nuk është ngjitur në nivelin e pritshmërive, pasi ka arritur të shënojë vetëm 6 gola, shumë pak për një qendërsulmues. Ditën e shtunë lojtari u paraqit në stërvitjen e skuadrës, por vetëm për t’u përshëndetur me shokët e stafin dhe më pas u largua.

I kontaktuar nga “Panorama Sport” në lidhje me largimin nga Teuta, Rubin Hebaj u shpreh: “Së pari, do të doja të falënderoj klubin e Teutës, të gjithë tifozët, lojtarët, presidencën dhe stafin për mbështetjen gjatë udhëtimit tim në Durrës. Ishte një kohë e veçantë dhe nuk do ta harroj kurrë. Teuta do të jetë në zemrën time.

Faleminderit edhe një herë e suksese! Jam përpjekur të bëj maksimumin gjatë kësaj periudhe, që ishte shumë e rëndësishme për të ardhmen e ekipit. Pavarësisht bindjes dhe insistimit tim, nuk kam pasur sukses. Kjo është arsyeja pse unë mendova se tani ishte koha për t’i dhënë fund marrëveshjes me Teutën. Sot situata nuk është shumë e mirë, por nuk kam dyshim dhe i uroj me gjithë zemër që të kapërcehet dhe sukseset të kthehen shpejt, ashtu siç e meriton ky klub i madh”.

E ARDHMJA

Pas “divorcit” me Teutën, Hebaj është kthyer në një temë diskutimi, pasi ende nuk është përcaktuar zyrtarisht se ku do të jetë e ardhmja e tij. Lojtari po kërkohet nga skuadra të ndryshme si në Kategorinë Superiore, Kosovë, Maqedoni e Veriut, por edhe jashtë kufijve të këtyre kampionateve të rajonit.

Megjithatë, vetë lojtari konfirmoi për gazetën se e ardhmja e tij do të vendoset shumë shpejt. Hebaj do të synojë të gjejë një skuadër ku mund të ketë më shumë hapësira aktivizimi. Gazeta mëson se një opsion për shkodranin është Shkëndija e Tetovës, e cila drejtohet nga Ernest Gjoka.