Dy ditë pushim me skuadrën dhe Rubin Hebaj ka “vrapuar” për në Shkodër. Për t’u takuar me familjarët e tij dhe për të pushuar paksa.

19 vjeçari shkodran në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” rrëhehet për përvojën e tij në Slloveni, të ardhmen, Vllazninë e shumë gjëra të tjera.

Ndiqni më poshtë intervistën me të:

-Rubin, i kenaqur me pervojen tuaj te deritanishme ne Slloveni?

Nuk është se jam shumë i kënaqur me ecurinë time të deritanishme tek Domzhale. Mbase kisha menduar se do të bëja edhe pak më mirë por disa dëmtime që kam patur, më kanë lënë disa kohë jashtë skuadrës.

Megjithatë tre golat e shënuar deri më tani, janë një numër disi i pëlqyeshëm nisur nga ajo që ky është sezoni im i parë me këtë ekip por besoj se deri në fund të kampionatit kam për të shënuar edhe gola të tjerë.

-Ka qenë e vështirë përshtatja me futbollin slloven?

Po, ka qenë e vështirë sepse kemi të bëjmë me një futboll krejt tjetër. Trajneri na kërkon veç të vrapojmë, krejt ndryshe nga futbolli shqiptar dhe normalisht që duhej pak kohë të ambjentohesha.

Kuptohet, mësimi i gjuhës pastaj por edhe mbështetja që më kanë dhënë shokët e ekipit, më kanë bërë të ndjehem mirë dhe ta konsideroj veten plotësisht pjesë e kësaj skuadre.

-Edi Martini pak ditë më parë është shprehur se në adresën tuaj kanë filluar të vijnë ofertat e para. E vërtetë kjo?

Të them të drejtën nuk e kam mendjen tek to. Nuk kam shumë dijeni sepse me to merren menaxherët dhe njerëzit e tjerë.

Për mua e rëndësishme është të vazhdoj të luaj e të shënoj sepse Domzhalen e shoh si trampolinë për të kaluar në kampionatet e tjera më të forta në Europë.

-Goli i shënuar pak ditë më parë, erdhi pak ditë para grumbullimit të kombëtares U-21 por në fakt emri juaj nuk ishte pjesë e saj. Ju erdhi keq?

Jo, nuk më ka ardhur keq sepse isha i vetëdijshëm për këtë gjë. Dëmtimi që kam kaluar kohët e fundit, më ka lënë jashtë kombëtares U-21 për këtë ndeshje.

Por kombëtarja aty është. E rëndësishme për mua është të luaj e të shënoj sa më shumë sepse po të ndodh kështu, atëherë ftesa do të vijë për ndeshjet e rradhës.

-Një koment i juaji për Vllazninë?

E kam ndjekur rregullisht dhe më vjen keq që situata e saj vazhdon të jetë ashtu siç e kam lënë.

E vetmja zgjidhje është privatizimi i klubit sepse nëse nuk ndodh kjo, atëherë situata ka për të vazhduar në këtë mënyrë.

Unë ndjej keqardhje për këtë gjendje të Vllaznisë.

-Objektivi juaj për pjesën e mbetur të sezonit?
Objektivi im është të vazhdoj të luaj e të shënoj sa më shumë.

Ndërsa objektivi i ekipit të Domzhales që ndodhet aktualisht në vend të tretë, është të vazhdoj të fitojë dhe pse jo, të luftojë deri në fund për titullin kampion.
Gjergj KOLA