Rubin Hebaj duket se po kalon një formë shumë të mirë në këto javë të fundit të kampionatit slloven të futbollit, pasi ka lënë pas dëmtimin që e shqetësoi për një pjesë të madhe të sezonit, duke luajtur me rregullsi dhe ndihmuar Domzhale të siguronte rezultate pozitive për të blinduar vendin e tretë në renditje.

Pak ditë më parë, sulmuesi shkodran shënoi në fitoren e skuadrës së tij. Sot, në ndeshjen kundër Krsko, ai ishte titullar, duke dhënë asist në rastin e golit të dytë të ekipit të tij, të shënuar nga Vetrih.

Ibrahimi shënoi golin e tretë për skuadrën e Domzhales duke vulosur në fund suksesin 3-1, ndërsa Hebaj ishte zëvendësuar në minutën e 63 të ndeshjes.

Ky ishte asisti i katërt i këtij sezoni për sulmuesin shqiptar, i cili ka shënuar edhe 5 gola me skuadrën sllovene ku luan në sezonin e tij të parë dhe me të cilën ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës në sezonin e ardhshëm. /vipsport/