Vllaznia vazhdon të ngelet një “minierë ari” sa i përket talenteve të nxjerra në futbollin shqiptar. Nëse flasim për futbollistët shqiptarë të cilët kanë dalë në tregun evropian, një pjesë e madhe prej tyre vijnë prej andej. Megjithatë pavarësisht kësaj, ekipi i Vllaznisë është duke vuajtur shumë vitet e fundit. Nëse ekipi i Armando Cungut nuk ra nga kategoria në sezonin e shkuar, një meritë i takon edhe Rubin Hebajt.

Në një intervistë për “Vip Sport” sulmuesi tashmë i Domzales, shpreh keqardhjen e tij për Vllazninë, situatën që po kalon me klubin e ri, por edhe mendimin për Kombëtaren.

 Në kampionatin slloven Domzale renditet në vendin e tretë. Tashmë është një periudhë e gjatë pushimesh, por cilat janë objektivat e klubit për këtë sezon, duke parë shkëputjen e kryesuesve?

Objektivat e klubit tonë janë për të arritur sa më lartë në renditje. Megjithatë të paktën 3 vendet e para të renditjes, nuk duhen diskutuar në asnjë moment të vetëm. Kjo pasi vetëm kështu mund të sigurohet një vend evropian dhe ne duhet të tregojmë vlerat tona edhe jashtë Sllovenisë.

 Një sezon me mjaft luhatje tek Domzale. Cila ka qenë vështirësia më e madhe që ke hasur në këtë kampionat?

Vështirësia më e madhe që kam hasur në këtë kampionat ka qenë ambientimi, por pa harruar këtu edhe konkurrencën. Kur shkova në Slloveni, unë nuk e dija gjuhën dhe mentalitetin vendas, që të penalizon paksa. Gjithashtu në këtë ekip janë disa emra të njohur në botën e futbollit dhe konkurrenca është shumë e madhe.

Tashmë gjysma e kampionatit praktikisht është mbyllur në Slloveni. Cili është ndryshimi kryesor midis “Superiores” dhe “PRVA Ligës”?

Ndryshimi mes “Superiores” dhe “PRVA Ligës” janë talentet. Në kampionatin slloven i jepet një vëmendje më e veçantë lojtarëve të rinj dhe kështu shihen më lehtësisht talentet në këtë kampionat.

Megjithatë nuk duhet të mohojmë faktin se edhe në Superiore ka shumë talente që kanë të ardhme.

Vllaznia është duke “ngrirë” në zonën e ftohtë të Superiores. A vazhdoni ta ndiqni ekipin shkodran edhe në këto momente?

Vllazninë vazhdojë ta ndjekë sa herë më jepet mundësia dhe më vjen keq që ndodhet në këto pozita. E ndoqa edhe në ndeshjen e Kupës ndaj Tiranës,  por ky ekip nuk e meriton të jetë në këto pozita.