Në garat e djeshme të kampionatit U18 është rikonfirmuar edhe njëherë si një prej sportistëve më të talentuar të Shqipërisë. Heldi Valikaj jo vetëm ka zënë vendin e parë në dy disiplina sportive, por rezultatet e tij janë shumë të mira, çka ia shtojnë edhe më shumë rëndësinë atyre.
Në garat e zhvilluara në Elbasan, atleti shkodran i datëlindjes 2002 arriti të grumbullonte 939 pikë olimpike dhe është shpallur atleti më i mirë i kampionatit (ndonëse nuk pati kupë të posaçme për të).
Këto pikë i ka arritur falë rezultateve të mira që ka arritur. Në garën e kërcimit së gjati, arriti distancën 6.70 metra ndërsa në atë të trehapëshit 14.86 metra. Në këtë të fundit, Valikaj ka mbetur vetëm 2 centimetra larg rekordit kombëtar të të rinjve (rekord që është 14.88 m dhe është vendosur para shumë vitesh).
“Me siguri që ky rekord do të thyhet në garat e ardhshme sepse Heldi gëzon një formë shumë të mirë sportive dhe i ka të gjitha premisat jo vetëm për të thyer këtë rekord, por për të bërë edhe gjëra të tjera të bukura”- thotë trajneri i tij Fatjon Serhati.
Serhati ka pesë vite që e stërvit këtë atlet dhe progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. Në garat e zhvilluara para dy vitesh në Kroaci, në një miting ndërkombëtar ku morën pjesë shumë sportistë nga vende të ndryshme, Valikaj u pat renditur i treti duke marrë edhe medaljen e bronztë.
Po ashtu, një paraqitje të mirë ka bërë edhe në Kampionatin Ballkanik të të rinjve ku zuri vendin e gjashtë dhe rezultati ka qenë shumë i mirë.
Konsiderohet si e ardhmja e atletikës në klubin Vllaznia dhe jo më kot, në ceremoninë e zhvilluar në fund të muajit dhjetor, është cilësuar si një nga sportistët e perspektivës nga Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia.
Nëse dje në Elbasan “u mjaftua” me dy vende të para, në garat e ardhshme me siguri që Heldi Valikaj ka për të na dhuruar të tjera suksese, medalje e rekorde.
Gjergj KOLA