Gjatë këtyre ditëve, në Elbasan është zhvilluar kupa “Pavarësia” në hendboll. Në këtë kupë, kanë marrë pjesë tre ekipet më të mira të vendit, pikërisht Tirana, Elbasani dhe Vllaznia. Ekipi shkodran ka arritur të dalë në finale të kësaj kupe teksa është ndeshur me vendasit e Elbasanit. Këta të fundit e kanë dominuar ndeshjen dhe e kanë mbyllur pjesën e parë në avantazh 15-8. Kjo epërsi ka ardhur duke u thelluar edhe në pjesën e dytë dhe në fund është fiksuar rezultati përfundimtar 32-21. Në këtë mënyrë Elbasani ka merituar kupën “Pavarësia” të orgaizuar nga Federata Shqiptare e Hendbollit në kuadrin e festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë. Vllaznia është renditur e dyta duke treguar se vazhdon të mbetet një nga ekipet më të mira të vendit në këtë lloj sporti pavarësisht kushteve të vështira në të cilat ai mbijeton në Shkodër. Mungesa e një terreni të përshtatshëm për stërvitje, ka ndikuar shumë tek ky ekip megjithatë pjestarët e tij janë munduar ta mbajnë gjallë dhe ai të mbijetojë. Këtë po e bën mjaft mirë madje duke qenë edhe ndër ekipet më të mira të vendit.
www.shkodrasport.com