Ditën e dielë, Vllaznia do zbresë në fushë për javën e 21-të të kampionatit të Superiores. Përballë kuqebluve do jenë as më pak e as më shumë se kampionët në fuqi të vendit dhe kryesuesit aktual të renditjes, Tirana. Bardheblutë vizitojnë Shkodrën për herë të parë në këtë sezon, kjo pasi dy ndeshjet e para të këtij edicioni janë zhvilluar në Tiranë.
Pavarësisht se janë 6 pikë para Vllaznisë në renditjen e përgjithshme, kryeqytetasit nuk kanë mundur ti mposhtin ende në kampionat të besuarit e Joses. Kjo pasi ndeshja e fazës së parë përfundoi në shifrat 1-2 për kuqeblutë, ku golat e shënuar nga Marku dhe Kaina bënë të pavlefshëm rrjetën e Xhixhes për Tiranën.
Edhe në ndeshjen e fazës së dytë, të zhvilluar sërish në ‘Selman Stërmasi’, gjithçka u mbyll në shifrat e bardha 0-0 mes dy ekipeve më të vjetra të futbollit tonë.
Pra kjo tregon se shkodranët në këtë edicion të Superiores janë ende të pamposhtur nga Tirana. Pavarësisht se në krahun e Tiranës mund të krenohen me fitoren në Superkupë në shifrat 3-2, edhe kjo ndeshje e zhvilluar në kryeqytet.
Një humbje që ka lënë një shije të hidhur tek Vllaznia, që në Superkupë u godit nga një gol në minutat e fundit. Tashmë të dielën tifozët shkodranë presin ti kthejnë reston bardhebluve, e të vijojnë më shifrat pozitive ndaj tyre në kampionat, ku një sukses i mundshëm i Vllaznsië do rihapte totalisht garën për titullin kampion.
Endri ÇINARI